Spaho: S'ka kuptim të marrim pjesë në zgjedhjet vendore

Shqipëria

Spaho: S'ka kuptim të marrim pjesë në zgjedhjet vendore

Më: 20 mars 2019 Në ora: 16:19
Edmond Spaho

Opozita nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet për pushtetin vendor nëse nuk largohet kryeministri Edi Rama. Ende nuk ka një vendim politik për bojkotin e procesit të 30 qershorit, por nënkryetari Edmond Spaho, thotë se nuk do të hyjnë në zgjedhje pa u plotësuar kushtet e tyre. Largimi i Ramës është kusht dhe për negociata me mazhorancën për tejkalimin e krizës.

BOJKOT ZGJEDHJEVE VENDORE?

Spaho: Pa u larguar Rama, nuk behemi pjesë e asnjë procesi

Meta negociator?, Spaho: Nuk ka dialog me Ramën, të largohet

Duket se kriza politike e krijuar me djegien  e mandateve është vetëm në fillimin  e saj, pasi  opsioni i dytë i opozitës është bojkoti i zgjedhjeve vendore.

Në një intervistë për RTV ORA, nënkryetari  demokrat Edmond Spaho, thotë se ende nuk ka një vendim, por sipas tij nuk mund të ketë zgjedhje me Ramën kryeministër.

Spaho: Nuk ka kuptim të marrësh pjesë në zgjedhjet vendore, sa kohë ne betejën po e bëjmë për zgjedhjet e përgjithshme.

Spaho thotë se protestat për largimin e Ramës, do të vijojnë. Ndërsa i pyetur nëqoftëse opozita pranon si negociator me mazhorancën presidentin Ilir Meta,  ai dha këtë përgjigje:

Spaho: Ne kemi qenë shumë të qartë në këtë pikë. Nuk hyjmë në negociata pa u tërhequr Edi Rama. Pasi të largohet Edi Rama, sigurisht dikush do të jetë ndërmjetës, Presidenti, ndërkombëtarët, kushdo që të jetë është i mirëpritur për të biseduar për një qeveri tranzitore.

Nënkryetari demokrat thotë se e mirëkupton kundërshtinë e ndërkombëtarëve për djegien e mandateve, por ai thotë se shumë shpejt do ta kuptojnë se nuk kishte rrugë tjetër për të mbrojtur demokracinë.

Spaho:  Asnjëherë nuk ka për të pasur stabilitet nëse nuk do të ngrejnë demokraci të vërtetë. Edhe qëllimi i opozitës është ky që ta lëvizi vendin nga kjo "demokracia" e stabilitetit në një demokraci të qytetarëve.

Sinjali i parë për bojkotin e zgjedhjeve lokale u dha një ditë më parë kur PD dhe LSI nuk dorëzuan emrat e komisionarëve qe do te përgatisin procesin zgjedhor te 30 qershorit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat