Skandali me pasaportat/ Shkarkohet konsulli shqiptar në Janinë, masë disiplinore për ambasadoren

Shqipëria

Skandali me pasaportat/ Shkarkohet konsulli shqiptar në Janinë, masë disiplinore për ambasadoren

Më: 20 mars 2019 Në ora: 16:46
Pervin Gjikuria

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme ka shkarkuar nga detyra Konsullin e Përgjithshëm të Shqipërisë në Janinë Pervin Gjikuria, ndërsa ka dhënë masë disiplinore ndaj ambasadores shqiptare në Greqi, Ardiana Hobdari pas skandalit të humbjes së pasaportave të emigrantëve shqiptarë në Greqi.

Në fillim të muajit shkurt u zhdukën 100 pasaporta shqiptare. Ministria e Jashtme sqaroi në datë 22 shkurt se ambasada jonë në Athinë kishte autorizuar një punonjëse të kompanisë së autobusëve “Top Lines” të aplikonte për 100 pasaportat te kompania ALEAT në Tiranë dhe më pas ti tërhiqte për ti dërguar në Greqi.

Pas tërheqjes, pasaportat u nisën drejt vendit fqinj me autobus (jo në përputhje me praktikat e rregullta të transportimit të pakove diplomatike). Në Kakavijë gjatë kontrollit autoritetet greke zbuluan pasaportat duke i bllokuar, ndërsa ndërhyri konsullata shqiptare në Janinë duke bërë të mundur zhbllokimin.

Më pas, sipas ministrisë dërgesa i është dorëzuar përfaqësuesve diplomatikë të Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Janinë, të cilët proceduan me shoqërimin dhe transportin e tyre drejt Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Athinë.

Por, gjatë transportimit të tyre nga Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë në Janinë, në një nga ndalesat e bëra për në ambasadën tonë, pikërisht në rrugën Agion Asomaton të lagjes Thisio, Athinë, pranë ambasadës makina u sulmua, prej orës 22.50 deri në orën 00.10, ndërsa iu morën pasaportat.

Ministria e Jashtme theksoi se pasaportat u nxorën nga përdorimi duke u shpallur të pavlefshme. Por pikëpyetjet që lindën ishin të shumta, duke nisur nga fakti se përse u ndoq kjo rrugë për aplikimet dhe tërheqjen e pasaportave përmes një punonjës së një kompanie autobusësh?

Ndalesa e makinës në këtë lagje të kryeqytetit grek në mesnatë dhe itinerari i gjatë i sulmit, më shumë se një orë, ngritën pikëpyetjet  se ku kishte qenë konsulli, ndërkohë që në makinë kishte pasaportat? Pas verifikimeve që kreu, Ministria e Jashtme vendosi shkarkimin e konsullit dhe dhënien e masës disiplinore ndaj ambasadores shqiptare në Greqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat