20 vite pa ndërhyrje, Gjonaj: Punë rrënjësore në Spitalin e Burgut

Shqipëria

20 vite pa ndërhyrje, Gjonaj: Punë rrënjësore në Spitalin e Burgut

Më: 22 mars 2019 Në ora: 15:12
Etilda Gjonaj

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, pa nga afër rikonstruksionin e Qendrës Spitalore të Burgjeve, në të cilin nuk ndërhyej prej 20 vitesh. Qendra Spitalore e Burgjeve është i vetmi institucion që garanton trajtim shëndetësor të specializuar për të dënuarit. Ministrja tha se është ndërhyrë rrënjësisht në të gjithë sistemin penitenciar, me fokus kryesor respektimin e të drejtave të personave të dënuar dhe të paraburgosur, rritjen e sigurisë dhe uljen e rasteve të korrupsionit.

“Shërbimi kryesor në IVSHB është ai i kujdesit shëndetësor dhe psikologjik, ku zhvillohen biseda në grup, seanca terapeutike për personat me probleme shëndetësore dhe do të jetë një frymëmarrje për të gjithë sistemin penitenciar. Gjatë rikonstruksionit janë kryer ndërhyrje jashtë dhe brenda qendrës spitalore, në çdo kat, në çdo pavijon (kirurgjia, patologjia, infektivi, psikiatria) dhe në çdo dhomë. Tashmë, falë këtij investimi, 100 të dënuar/pacientë do të trajtohen në kushte optimale, me standarde të larta”,-tha Gjonaj.

Nga ana tjetër, ministrja nënvizoi se të dënuarit do të mund të marrin shërbim cilësor në kushte spitali bashkëkohor brenda sistemit. “Së shpejti përfundon edhe rikonstruksioni i godinave 4 dhe 5 në IEPV Lezhë, të cilat do të shërbejnë si një spital i përkohshëm për personat me vendim gjykate “mjekim i detyruar”. Me përfundimin e rikonstruksionit të kësaj strukture, në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Shëndetësisë, do të krijohen kushtet e përshtatshme për trajtimin e personave që aktualisht ndodhen në IEVP Krujë.   Gjithashtu, kemi bërë ndërhyrje për përmirësimin e infrastrukturës dhe kushteve të jetesës edhe në IEVP Peqin dhe Burrel, investime të cilat do të vijojnë edhe në elementë të tjerë të sigurimit dhe përmirësimit të shëndetit”,-tha Gjonaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat