Ambasadorja gjermane, te Meta – Ambasadori britanik, te Basha

Shqipëria

Ambasadorja gjermane, te Meta – Ambasadori britanik, te Basha

Më: 22 mars 2019 Në ora: 19:31
Ilir Meta dhe Lulzim Basha

Ambasadorja gjermane, Susanne Schutz ka qenë paraditen e kësaj të premteje në Presidencë, për t’u takuar me kreun e shtetit Ilir Meta, vetëm pak ditë pas deklaratës së tij të bujshme nga Pogradeci.

Takimi i diplomates gjermane me Metën ka zgjatur rreth 40 minuta dhe ende nuk dihen detaje rreth bisedës së zhvilluar, por përfaqësuesja e Berlinit zyrtar në Tiranë është shprehur pak ditë më parë se qeveria shqiptare dhe Parlamenti shqiptar janë legjitim, të dala nga zgjedhje të njohura ndërkombëtarisht si ato të vitit 2017.

Edhe kreu i Partisë Demokratike ka pasur një vizitë diplomatike sot në seli. Basha ka pritur ambasadorin e Britanisë së Madhe, Duncan Norman, vizitë që zhvillohet sigurisht në kuadër të situatës politike në vend.

Edhe pse nuk ka asnjë deklaratë zyrtare nga palët rreth asaj se çfarë kanë biseduar, dihet që opozita organizon prej javësh protesta thuajse të përjavshme, duke krijuar një situatë të tensionuar politike.

Deputetët e partive më të mëdha të opozitës, PD dhe LSI dorëzuan mandatet e deputetëve, me pretendimin se Parlamenti është ilegal dhe për këtë arsye kërkojnë rrëzimin e qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat