Zgjedhjet e 30 qershorit, zbulohen kandidatët e PS për 6 Bashki

Shqipëria

Zgjedhjet e 30 qershorit, zbulohen kandidatët e PS për 6 Bashki

Më: 23 mars 2019 Në ora: 12:39
PS

Në kongresin e PS, i cili po mban punimet në Pallatin e Kongreseve, u zbuluan edhe emrat e 6 kandidatëve për zgjedhjet elektorale të 30 qershorit të kësaj force politike.

Përmes fjalimeve të mbajtura në sallë, PS zbuloi se në Bashkinë e Korçës konfirmon për një mandat të dytë, kryetarin aktual Sotiraq Filo, po ashtu konfirmohet Armando Subashi për bashkinë e Fierit, Dritan Leli në Vlorë, si edhe Majlinda Bufi në Roskovec.

Ndërkaq për bashkinë e Lezhës PS do të garojë në këto zgjedhje me Pjerin Ndreun ndërsa në Elbasan, në vend të Qazim Sajedinit i cili ka drejtuar qytetin për 3 mandate, socialistët duket se kanë vendosur t’i besojnë Bashkinë prefektit aktual Gledian Llatja.

Në fjalën para kongresit, kandidatët e rikonfirmuar për Bashkitë folën për projektet e realizuara e për të tjera që pritet të kryhen në të ardhmen.

Një fjalë ndryshe kishte Pjerin Ndreu, i cili e nisi fjalën e tij me një tjetër slogan, ‘Bashkia që nuk duam’ duke qenë se Bashkia e Lezhës u drejtua gjatë këtij 4 vjeçari nga opozita aktuale.

Ndërkohë, ndërsa vlerësoi punën e bërë deri tani nga Bashkia në Elbasan, prefekti aktual Gledian Llatja, i cili duket se do të jetë kandidati i PS në zgjedhjet vendore u shpreh se pas këtij Kongresi do të nisin takimet derë më derë me qytetarët me qëllim fitoren në zgjedhje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat