Ende mister vrasja mafioze e avoktatit shqiptar, këto janë pistat e hetimit

Shqipëria

Ende mister vrasja mafioze e avoktatit shqiptar, këto janë pistat e hetimit

Më: 23 mars 2019 Në ora: 12:57
Ravik Gurra

Pas ekzekutimit të avokatit Ravik Gurra, në qendër të Elbasanit, policia ka kryer edhe shoqërimet e para mbrëmjen e djeshme, të cilët pasi janë marrë në pyetje, janë lënë të lirë. Sipas raportimeve dy persona të cilët shoqëronin avokatin Gurra dhe që janë edhe dëshmitarë të vrasjes së tij janë marrë në pyetje gjatë natës nga policia.

Mësohet se të shoqëruarit ishin juristi i bashkisë Elbasan Arben Hoxha dhe Astrit Telhollari mik i përbashkët i tyre. Personat e pyetur janë shprehur se gjithçka ndodhi papritur. Sipas të dhënave paraprake dyshohet se autori është afruar në këmbë pranë Gurrës për ta ekzekutuar.

Më pas ai është larguar me shpejtësi nga vendngjarja ku e priste dhe një makinë tjetër, që më pas u dogj në dalje të Elbasanit. Policia po heton pistën e hetimit “vrasje për shkak të detyrës” për Gurrën. Gurra kishte në dorë çështjen e vëllezërve Hysa, pronarët e firmës “Vëllezërit Hysa”, të akuzuar për abuzime në ndërtimin e rrugës Elbasan-Gjinar. Ata u arrestuan së bashku me dy ish drejtorë të ARRSH-së, Andi Toma dhe Dashamir Xhika.

Ravik Gurra ka qenë i njohur edhe si avokat i fisit të Çapajve dhe Emiljano Shullazit. Ai kishte një eksperiencë 10 vjeçare në fushën e drejtësisë, gjë për të cilën ai kishte kryer edhe një specializim në Londër. Gurra po ashtu kishte edhe një zyrë avokatie në Londër, ku kishte zhvilluar aktivitetin e tij, para se të vendoste të kthehej në Shqipëri.

Ravik Gurra u ekzekutua me armë e tipit pistoletë me selenciator mbrëmjen e djeshme në ambientet e një lokali të njohur. Zona ku ka ndodhur atentati ka qenë e pajisur me kamera sigurie dhe e ndriçuar gjë e cila mund të ndihmojë grupin hetimor në identifikimin e profilit të vrasësve.

Për vrasjen reagoi dhe Dhoma e Avokatisë, e cila shpreh shqetësimin e saj duke argumentuar se veprime të tilla kanë marrë përshkallëzim në rritje ndaj profesionit të avokatit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat