Basha për median italiane: Beteja e opozitës nuk është betejë për pushtet

Shqipëria

Basha për median italiane: Beteja e opozitës nuk është betejë për pushtet

Më: 23 mars 2019 Në ora: 19:39
Lulzim Basha

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka deklaruar për të përditshmen italiane  “Il fatto quotidiano”, se beteja e opozitës me qytetarët nuk është një betejë për pushtet, por që Shqipëria të mos jetë më parajsë për trafikun e drogës dhe pastrimit të parave.

“Paraja e nxjerrë nga trafiku është përdorur si në aktivitete ekonomike, ashtu edhe në politikë. Fitimet e trafikut të drogës u ricikluan për të kushtëzuar politikën si dhe për të blerë zgjedhjet e 2017-s.”- u shpreh lideri i opozitës.

Më tej, Basha iu referua raporteve të 3 viteve të fundit të Europol-it dhe Departamentit Amerikan të Shtetit ku thuhet se  Shqipëria ka qenë prodhuesi dhe furnizuesi kryesor i marijuanës për vendet e Bashkimit Europian, si dhe kryqëzimi kryesor për trafikun e kokainës dhe heroinës drejt Europës Perëndimore.

Pyetjes se çfarë kërkon opozita ekzaktësisht, Basha shprehet se “duam që politikanët e lidhur me krimin dhe narkotrafikun, si dhe ata që janë përfshirë në shitblerjen e votave, të vendosen përpara drejtësisë. Dhe kjo, sigurisht, që nuk mund të ndodhë sa kohë në krye të qeverisë të jetë Edi Rama, mbrojtësi dhe garanti kryesor i kësaj gjendjeje. Prandaj, kërkojmë dorëheqjen e tij.”

I pyetur nëse nuk besoni se të rreshtoheni përkrah një partie si LSI, e cila për 4 vjet me radhë ka qenë në pushtet me Ramën, i heq disi besueshmërinë protestës tuaj, Basha u shpreh se “pozicioni ynë është i qartë. Çdo qytetar, organizatë a formacion politik që ka si objektiv të vetin çlirimin e vendit nga droga dhe krimi i organizuar është i mirëpritur të bëhet pjesë e frontit të bashkuar opozitar”.

Lidhur me deklaratën e Ramës se në Shqipëri nuk ka një revoltë të popullit, por revoltë të një opozite e cila, “u dërgua në shtëpi, pasi shkatërroi ekonominë dhe zhyti vendin në kënetën e pandëshkueshmërisë”, Basha iu përgjigj se “këto janë deklarata propagandistike, tipike të liderëve autokratë, të cilët mendojnë se po flasin në emër të popullit dhe që çdo kritikë e klasifikojnë si një tentativë për t’u kthyer prapa, në të shkuarën”.

“Në fakt, kemi të bëjmë me një pakënaqësi e mjerim masiv, i cili po mishërohet jo vetëm në protesta e revolta masive, por edhe në një fluks masiv emigrimi. Vetëm gjatë viteve të kësaj qeverisjeje, thuajse 200 mijë shqiptarë kanë kërkuar azil politik në njërin nga vendet anëtare të BE-së. Para ardhjes së Ramës në pushtet, ky numër ishte më pak se 50 mijë dhe fenomeni i azilkërkimit thuajse po zhdukej”, tha ai. /atsh

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat