Kongresi i PS, Fajon: Mbështesim fuqishëm hapjen e negociatave, parlamenti e qeveria të shtyjnë përpara reformat

Shqipëria

Kongresi i PS, Fajon: Mbështesim fuqishëm hapjen e negociatave, parlamenti e qeveria të shtyjnë përpara reformat

Më: 23 mars 2019 Në ora: 19:41
Tanja Fajon

Zëvendës Presidentja e Grupit të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Europian, Tanja Fajon ka uruar për Kongresin e Partisë Socialiste, duke theksuar se “mbështesim fuqishëm hapjen e negociatave me BE-në dhe sinqerisht shpresoj se kjo gjë do të ndodhë brenda dy muajve”.

Në një video mesazh, Fajon thekson se “duke parë përpara, Ballkanin Perëndimor menjëherë na kujton pakënaqësitë e njerëzve të thjeshtë dhe situatat e paqëndrueshme politike. Pavarësisht nga paqëndrueshmëria, besoj se Shqipërisë meriton ti jepet një dritë e gjelbër për fillimin e negociatave për pranimin në Bashkimin Europian këtë vit”.

Ajo thekson se Shqipëria ka bërë përparim të caktuar në fushën e gjyqësorit dhe procesit të vettingut  dhe jam e bindur se Parlamenti dhe qeveria shqiptare do të shtyjnë përpara reformat.

“Me lejoni të theksoj përsëri të dashur miq, në emrin tim dhe të familjes time politike në PE, socialistët dhe demokratët, se mbështesim fuqishëm hapjen e negociatave me BE-në dhe sinqerisht shpresoj se kjo gjë do të ndodhë brenda dy muajve. Ju inkurajoj të vazhdoni me punën tuaj, veçanërisht në sundimin e ligjit, luftimin e korrupsionit dhe arritjen e më shumë efikasitet në sistemin e drejtësisë. Është detyra jonë morale si edhe përgjegjësi profesionale për të punuar drejt drejtësisë dhe shoqërive të ndershme për qytetarët tanë. Shoqëria e qëndrueshme ku secili ndihet i barabartë para ligjit, fillon në nivelin lokal ku sfidat dhe mangësitë si dhe ndryshimet në përmirësime janë më të dukshme”, deklaron Fajon.

Në mesazhin e saj, Fajon bëri edhe një pasqyrë të shkurtër të situatës aktuale në BE. “Dy muaj para zgjedhjeve europiane ne po përballemi me sfida të shumta. Rasti Brexit mbetet i pazgjidhur duke lënë në pikëpyetje nëse zgjedhjet europiane do të mbajnë Britaninë e Madhe në BE pa një përgjigje të qartë. Ne jemi duke u ballafaquar me pretendimet e ekstremistëve të djathtë dhe politikat e ideologjisë së djathtë në disa vende. Së bashku ne rrezikojmë të përballemi me deklarata që kujtojnë kohën e errët të fashizmit edhe nga zyrtarët e lartë sic është Presidenti i institucionit që unë përfaqësoj, Parlamenti Europian. Mbetet për t’u parë se si do të duket Parlamenti i ri Europian dhe çfarë interesash do të sjellin në politikat e zgjerimit”, nënvizon Fajon.

Në përfundim, Fajon uron PS “suksese në nivel lokal dhe në muajt e ardhshëm dhe shumë energji dhe motivim që do ta sjelli Shqipërinë në rrugën drejt BE-së. Ne, miqt tuaj në PE do të vazhdojmë t’ju mbështesim dhe të sigurohemi që zëri juaj dëgjohet këtu në Bruksel. Ju uroj një Kongres të suksesshëm dhe diskutime të frytshme”. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat