PD: Veliaj hapi tenderin 4 ditë para rikandidimit! Hyrja tek Liqeni drejt betonizimit

Shqipëria

PD: Veliaj hapi tenderin 4 ditë para rikandidimit! Hyrja tek Liqeni drejt betonizimit

Më: 24 mars 2019 Në ora: 14:56
Ina Zhupa

Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa thotë se në shtator të vitit të kaluar, Partia Demokratike publikoi disa dokumente zyrtare që zbuluan para qytetarëve planin e Erion Veliajt për ta kthyer zonën e Gardës tek Parku i Liqenit në zonë të betonizuar për ndërtime.

Në një dalje të sotme për mediat ajo tha se në atë kohë, Veliaj u sfidua që të mos u shiste qytetarëve propagandë, por të dilte në debat dhe të shpjegonte përse në planin e Përgjithshëm të Bashkisë së Tiranës, një pjesë e Liqenit artificial, mu në hyrje të tij, do të bëtonizohej.

“Siç e ka zakon, Erion Veliaj mashtroi, pa dhënë asnjë argument”, tha Zhupa, duke publikuar videon që gjeni më poshtë.

Sipas saj, më të vërtetë, si shumë prej fjalëve që thotë Erion Veliaj, ky është mashtrim dhe se zona tek Garda e Republikës nuk i kthehet Parkut tek Liqeni Artificial, por bashkia po bën gati infrastrukturën për kullat private që do të ndërtohen në këtë zonë.

“Katër ditë përpara shpalljes së rikandidimit të tij luksoz, që sipas mediave ka kushtuar më shumë se 1 milionë euro, Erion Veliaj ka shpallur tenderin për ndërtimin e një rruge me gjatësi 650 metra. Rruga nuk ka ndonjë vlerë të shtuar për qytetin, por ajo do të marrë rreth 2 milion euro nga taksat e qytetarëve për t’i shërbyer klientëve të Ramës dhe Veliajt. Ajo lidh zonën e Gardës me Rrugën e Kosovarëve, duke ndërtuar ekskluzivisht një rrugë të re për kullat që do të ndërtohen aty më vonë, pas prerjes së qindra pemëve, për gjoja ndërtimin e rrugës”, deklaroi Zhupa.

Ajo shtoi se oligarkët do ta kenë rrugën të hapur për të ndërtuar kulla mbi 29 metra lartësi dhe mbi 9 kate, me shërbime, parking dhe banim dhe se Tirana me Erion Veliajn në shërbim të pastrimit të parave, nuk kursen asgjë, as mushkërinë ë vetme të qytetit, as trashëgiminë kulturore dhe historike, as shtëpitë e banorëve të saj.

Zëdhënësja e demokratëve tha se në vend të shfaqjeve luksoze dhe korruptive, Erion Veliaj duhet t’u japë përgjigje disa pyetjeve:

-Pse hesht Veliaj para qytetareve që duan të dinë fatin e mushkërive të vetme të qytetit?

-Cilit oligark ia ka premtuar Veliaj ndërtimin e kullave në Parkun e Liqenit artificial dhe sa para të pista do të pastrohen në tokë publike?

-Cilat janë interesat dhe fitimet e Veliajt dhe të shefit të tij në këtë aferë betonizimi të Parkut? 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat