Indiani që u bë Konsull Nderi i Shqipërisë, miratimin e dha SHISH

Shqipëria

Indiani që u bë Konsull Nderi i Shqipërisë, miratimin e dha SHISH

Më: 25 mars 2019 Në ora: 12:16
Foto

Shërbimi Informativ Shtetëror ka dhënë miratimin për emërimin e indianit Nitin Sandesara si Konsull Nderi i Shqipërisë në Nigeri.

Duket se kjo gjë e thellon edhe më tej skandalin e dy vëllezërve indianë, të cilët përveçse kanë marrë nënshtetësinë shqiptare duke qenë të dënuar në Indi, njëri prej tyre është bërë edhe Konsull Nderi i Shqipërisë.

SHISH pasi shqyrtoi kërkesën në bazë të informacioneve që dispononte, ka dhënë miratimin që Nitin Sandesara të bëhej Konsull Nderi i Shqipërisë në Nigeri.

“Në përgjigje të shkresës suaj, nr. 17437, datë 13.11.2018, pas verifikimeve të kryera, bëjmë më dije se SHISH është i mendimit që të jepet pëlqimi për emërimin e zotit Nitin Sandesara si Konsull Nderi i vendit tonë në Nigeri.

Ju falenderojmë për bashkëpunimin”, thuhet në shkresën e SHISH drejtuar Ministrisë së Jashtme.

Dy vëllezërit Sandesara rezultojnë të kenë qenë pronarët e kompanisë farmaceutike Sterling Biotech. Përgjatë viteve 2008-2011 ata kanë marrë mbi 725 milionë dollarë kredi nga disa banka shtetërore të Indisë.

Këto para nuk kanë shkuar në llogarinë e Sterling, por janë zhdukur përmes një rrjeti prej 300 kompanish offshore të ngritura nga vetë ata.

Skandali doli në sipërfaqe në janar të vitit të kaluar kur agjencia e krimit ekonomik në Indi arrestoi drejtorin e Andra Bank, bankës e cila kishte lëvruar kreditë për dy vëllezërit.

Në po të njëjtën kohë autoritetet indiane bllokuan pronat e kompanisë Sterling Biotech, e cila u fut në proces falimentimi. Por dy vëllezërit Sandesara u arratisën nga India.

Ndërkohë që kërkoje në Google mund të gjeje informacion për Nitin Sandesara dhe Chetankumar Sandesara veçanërisht për mashtrimin, ata arrijnë të marrin shtetësinë shqiptare, duke u bazuar në një kërkesë të Ministrisë së Mjedisit dhe raportet e SHISH dhe institucioneve të tjera të sigurisë kombëtare që i nxirrnin ata persona pa probleme ligjore.

Gazeta “Dita”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat