Frenon turizmi – Të ardhurat ranë në tremujorin e katërt të vitit 2018

Shqipëria

Frenon turizmi – Të ardhurat ranë në tremujorin e katërt të vitit 2018

Më: 25 mars 2019 Në ora: 16:12
Foto

Të ardhurat nga turizmi në ekonominë shqiptare pësuan rënie në tremujorin e fundit të vitit të kaluar. Të ardhurat hyrëse nga udhëtimet kishin vlerën e 389 milionë eurove, rreth tetë milionë euro më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Kjo ishte hera e parë prej vitit 2013 që të ardhurat nga turizmi në tremujorin e fundit të vitit pësojnë rënie.

Ndërkohë, në raport me tremujorin e tretë, që përbën edhe pikun e sezonit turistik, të ardhurat ranë me rreth 300 milionë euro. Tremujori i katërt i vitit të kaluar dha për herë të parë shenja të një lloj ngopjeje të tregut të turizmit hyrës.

Sidoqoftë, për të gjithë vitit 2018 bilanci i të ardhurave nga turizmi ishte sërish pozitiv. Turistët e huaj sollën 1.86 miliardë euro, afërsisht 9% më shumë krahasuar me vitin 2017.

Vitin e kaluar Shqipërinë e vizituan afro gjashtë milionë shtetas të huaj. Ky është numri më i lartë i vizitorëve të huaj i regjistruar ndonjëherë në vendin tonë. Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se numri i vizitorëve të huaj u rrit me afro 16%.

Ndërsa të ardhurat nga turizmi frenuan, shpenzimet e shqiptarëve për udhëtime jashtë vazhduan të rriten edhe në tremujorin e katërt 2018. Ato arritën vlerën e 317 milionë eurove, në rritje vjetore me 10%.

Për të gjithë vitin 2018, shqiptarët shpenzuan 1.43 miliardë euro në udhëtime jashtë, 13% më shumë krahasuar me vitin 2017. Edhe në numër, udhëtimet e shtetasve shqiptarë jashtë vendit vitin e kaluar shënuan një shifër rekord, me 5.4 milionë dalje jashtë vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat