Policia nis trajnimet për zgjedhjet

Shqipëria

Policia nis trajnimet për zgjedhjet

Më: 26 mars 2019 Në ora: 09:43
Ardi Veliu

Në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet lokale të këtij viti, Policia e Shtetit do të nisë sot trajnimet në Akademinë e Sigurisë më qëllim krijimin e kushteve për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Në fjalën e tij, kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu tha se policia është aktori kryesor, i cili garanton ushtrimin e të drejtës së votës për të gjithë qytetarët shqiptarë: “Policia vepron në zbatim të ligjit. Shembull janë proceset zgjedhore të mëparshme ku policia ka ushtruar drejt funksionin e saj. Trajnimi nis sot me drejtuesit qendror dhe do te vazhdojë me te gjithë punonjësit e përfshirë”.

Fjala e plotë e Ardi Veliut:

Zgjedhjet për qeverisjen vendore në Shqipëri, më 30 Qershor 2019, do të jenë veprimtari dhe angazhime me rëndësi sociale për vendin tonë. Ky proces vlerësohet dhe ka vëmendjen e të gjithë opinionit publik shqiptar dhe faktorit ndërkombëtar për faktin e thjesht se është një tregues i rëndësishëm i ushtrimit të të drejtave themelore të njeriut në një shtet demokratik, siç është e drejta e votës, si shprehje të një vullnet të lirë dhe të patjetërsueshëm nga askush. Pa dyshim Policia e Shtetit është një nga aktorët kryesor, për të siguruar një mjedis korrekt dhe të qetë, për të ushtruar këtë të drejtë nga të gjithë votuesit, por edhe për të ruajtur e siguruar procesin zgjedhor nga pikëpamja e rendit, e sigurisë dhe krimeve zgjedhore.

Gjithmonë Policia e Shtetit ka vepruar dhe vepron në bazë dhe për zbatim të ligjit, edhe në këtë rast ajo ka si mision të saj, ruajtjen e rendit publik dhe hetimin e veprave penale vetëm në bazë e për zbatim të detyrave të përcaktuara në Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë dhe udhëzimeve të KQZ-së. Shembull i qartë i kësaj janë proceset zgjedhore të viteve të mëparshme ku Policia e Shtetit i ka kryer më së miri detyrat e saj, e shprehur kjo dhe në raportet e strukturave të specializuara ndërkombëtare që monitorojnë zgjedhjet dhe nga partnerët tanë që asistojnë Policinë e Shtetit.

Edhe për këto zgjedhje pritshmëritë për veprimtarinë e Policisë së Shtetit do të jenë cilësisht në rritje dhe të orientuara drejt zbatimit korrekt të ligjit. Këtij qëllimi i shërben dhe trajnimi i të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit, trajnim i cili fillon sot me drejtuesit qëndrorë dhe vendorë të Policisë së Shtetit e do të vijojë më pas me të gjithë punonjësit që do të përfshihen në këtë proces. Gjej rastin të falënderoj Prezencën e OSBE-së në Tiranë, për kontributin e tyre për zhvillimin e këtij trajnimi. Ju siguroj se Policia e Shtetit edhe në këtë proces zgjedhor do të tregojë se është promotore e vlerave më të mira të një shoqërie demokratike. Suksese në procesin e trajnimit të gjithë punonjësve të policisë”, tha ai.

Nga ana tjetër, ambasadori OSBE-së në Shqipëri, Bernd Borchard duke përgëzuar punën e strukturave të policisë në zgjedhjet e 2017 theksoi se duhet thelluar edhe më tej bashkëpunimi me KQZ dhe prokurorinë.

“Në 2017 bëtë përpjekje te madhe dhe puna juaj ishte e kënaqshme. Bashkëpunimi i policisë, KQZ dhe prokurorisë është i rëndësishëm për zgjedhjet. Sjellja e institucioneve mund të shtojë besimin tek qytetarët që vota e tyre është e vlefshme. Trajnimi ju rifreskon njohuritë që keni marrë dhe përgjegjësitë”, shtoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat