“Air Albania” fluturon në Prill. Linja e parë nga Tirana në Stamboll e më pas drejt…

Shqipëria

“Air Albania” fluturon në Prill. Linja e parë nga Tirana në Stamboll e më pas drejt…

Më: 26 mars 2019 Në ora: 14:57
Aeroplani "Air Albania"

Autoriteti i Aviacionit Civil njoftoi se ka përfunduar certifikimin e kompanisë ajorore flamur të Shqipërisë “Air Albania”, duke i hapur rrugë nisjes së fluturimeve nga kjo kompani.

Krislen Keri, kreu i Autoritetit të Aviacionit Civil, u shpreh: “Fluturimet do të fillojnë në mes të prillit”.

“Air Albania” ka kryer regjistrimin e avionit të parë, i cili ka mbërritur në Rinas dhe do të bëjë linjën Tiranë-Stamboll. Por, sipas kreut të Aviacionit Civil , ai do të pasohet nga të tjerë që do të fluturojnë në Europë dhe veçanërisht tregun italian, ku është edhe fluksi më i madh.

“Jemi informuar nga kompania se shumë shpejt do të mbërrijë avioni i dytë i cili do të fluturojë në tre aeroporte të Italisë: Romë, Milano dhe Bolonja, si dhe aeroportin e Londrës”, shtoi Keri.

Sipas kreut të Aviacionit Civil, nisja e fluturimeve nga kjo kompani pritet të ulë çmimin e biletave që paguajnë shqiptarët për të fluturuar: “Nuk dua të vë shifra, por duke parë strukturën e kostove, çmimet pritet të jenë më të ulëta”.

Procesi i krijimit të “Air Albania” nisi në maj të vitit të kaluar, kur shoqëria “Air Albania” bëri pranë qeverisë shqiptare kërkesën për krijimin e njjë kompanie kombëtare flamurmbajtëse. Kompania zotërohet nga tre aksionerë, MDN Investments, Albcontrol sh.a dhe Turkish Airlines, ku pala shqiptare ka mazhorancën me 51% të aksioneve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat