Parlamenti me 99 deputetë të enjten, KQZ pritet të japë 3 mandate - Bota Sot
Parlamenti me 99 deputetë të enjten, KQZ pritet të japë 3 mandate

Shqipëria

Parlamenti me 99 deputetë të enjten, KQZ pritet të japë 3 mandate

Më: 26 mars 2019 Në ora: 16:26
Foto

Parlamenti këtë të enjte do të shkojë në 99 deputetë. KQZ do tu japë mandatin edhe tre emrave të tjerë të ardhur nga listat e PD dhe LSI. Ndërkaq në disa qarqe po afrohet fundi i emrave, çka do të sjellë përbërjen e Kuvendit me më pak se 140 deputetë.

Ditën e mërkurë do të marrin mandatin e deputetit 3 deputetë të rinj, të cilët pritet ti drejtohen parlamentit të enjten për të bërë betimin.

Adriatik Alimadhi nga lista e PD në Vlorë, njëkohësisht edhe kryetar i Ballit Kombëtar do të marrë mandatin e Agron Shehaj.

Ndërsa në Elbasan, Arben Elezi do të ulet në vendin e Edmond Spahos.

Nga radhët e LSI-së në Shkodër në vend të Agron Çelës do të jetë Amra Barova.

Me betimin e 3 të rinjve, numri i deputetëve në Parlament do të shkojë në 99, ku 17 prej tyre janë të rinj të ardhur nga listat e PD dhe LSI pas djegies së mandateve.

Listave të kandidatëve po i vjen fundi në disa qarqe.

Në Kukës, Partia Demokratike nuk ka më kandidatë, pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur pazgjedhshmërinë edhe për të fundit në listë, Miftar Dauti. Gjithashtu KQZ-ja ka shpallur mozgjedhshmërinë edhe për 10 kandidatë të tjerë në Gjirokastër, Korçë, Lezhë, Shkodër dhe Tiranë.

Ndërsa për LSI-në dy kandidate femra, njëra në Berat dhe tjetra në Tiranë nuk kanë dorëzuar formularin e dekriminalizimit në KQZ.

Në disa qarqe ka përfunduar lista e kandidatëve gra.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...