Cili është vendi i huaj që po investon më shumë në Shqipëri!

Shqipëria

Cili është vendi i huaj që po investon më shumë në Shqipëri!

Më: 27 mars 2019 Në ora: 10:49
Foto ilustrim

Për herë të parë që prej më shumë se dy dekadash, Greqia e ka ulur flamurin si investitori më i madh në vend.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të tremujorit të katërt, Greqia kaloi si investitori i dytë në vend, sa i përket stokut, duke ia lënë vendin Zvicrës.

Stoku i investimeve nga Zvicra në Shqipëri arriti në fund të 2018-n në 1.3 miliardë euro, duke përbërë 17.3% të totalit prej 7.7 miliardë eurosh që kanë investuar shtetet e huaja në Shqipëri që pas viteve ’90.

Investimet nga Zvicra kanë shënuar një rritje të shpejtë që nga mesi i vitit 2016, që në fakt përkojnë me fillimin e punimeve për gazsjellësin TAP, një projekt prej rreth 1.5 miliardë eurosh, më i madhi historik në Shqipëri. Ndonëse TAP është investim i një konglometari shtetesh, ai është i regjistruar me seli qendrore në Zvicër.

Greqia, që për shumë vjet ishte investitori më i madh në vend, kishte në fund të vitit një stok prej 1.2 miliardë eurosh, ose 16% të totalit. Vitet e fundit, ky tregues ka qëndruar pothuajse në të njëjtat nivele, duke reflektuar stanjacionin e kompanive të telekomunikacionit, të cilat në një treg të maturuar nuk po bëjnë më investime.

Edhe bankat me kapital grek po tërhiqen gradualisht nga Shqipëri.

Investitori i tretë më i madh në vend këtë vit ka kaluar Holanda, me një stok prej 1 miliardë eurosh (13.6% e totalit), përmes kompanisë, që po ndërton hidrocentralet mbi lumin e Devollit. Ndonëse tashmë, HEC i Devollit po ndërtohet nga norvegjezët e Statkraft, Banka e Shqipërisë e pohon se investitori direkt i Statkraft është holandez.

Si investitor i katërt ka kaluar Kanadaja (prej shumë vitesh i dyti), me 951 milionë euro në fund të 2018-s, ose 12.4% e totalit .

Italia, ndonëse është partneri kryesor tregtar i Shqipërisë dhe ka numrin më të madh të bizneseve të huaja renditet e pesta për nga stoku i investimeve, me 686 milionë euro (8.9% e totalit). Nga Italia kanë munguar investimet e mëdha në vite dhe sipërmarrjet që kanë hyrë janë përgjithësisht të vogla.

Në vend të pestë renditet Turqia, me një stok investimesh prej 604 milionë euro, ose 6.9% e totalit. Investimet kryesore të Turqisë janë në telekomunikacione dhe banka.

Më pas vijnë Austria me 525 milionë euro, me investime në banka dhe energji; Franca, me 297 milionë euro, me një rritje të ndjeshme vitet e fundit si rrjedhojë e kompanisë Spiecapag, që është nënkontraktor i gazsjellësit TAP; Qipro me 158 milionë euro dhe Gjermania me 133 milionë euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat