Vrasja e Nardit të bujtinave, Gjykata lë në burg tre të arrestuarit

Shqipëria

Vrasja e Nardit të bujtinave, Gjykata lë në burg tre të arrestuarit

Më: 27 mars 2019 Në ora: 11:50
Nardi Polia

Kanë dalë sot para Gjykatës së Shkodrës për tu njohur me masën e sigurisë, tre të arrestuarit e dyshuar për vrasjen e Nardi Polisë.

“Arrest me burg” vendosi gjykata ndaj tyre, duke bërë që të qëndrojnë në qeli, në vijim të hetimeve.

Si të dyshuar për vrasjen e 32-vjeçarit, paraditen e kësaj të hëne u arrestuan dy vëllezërit Gilbert Toma 26 vjeç, Kleandro Toma 29 vjeç dhe shoku i tyre Alfred Martini 20 vjeç.

Ndërkohë është shpallur në kërkim si bashkëpunëtor i tyre dhe po punohet për kapjen e K.S., 27 vjeç.

Gjatë marrjes në pyetje të dyshuarit kanë mohuar akuzat, duke e cilësuar të padrejtë arrestimin e tyre, duke thënë se nuk kanë gisht.

Por nga hetimet e policisë dyshohet se të arrestuarit dhe i shpalluri në kërkim e kanë ndjekur me makinë viktimën, dhe më pas makina e tyre tip “Audi” është fiksuar nga kamerat duke kaluar në vendin quajtur Ura e Mesit, vend ku dhe u gjet i djegur motori me të cilin mendohet se u lëvizte autori i vrasjes.

Është pikërisht makina me të cilën lëviznin të dyshuarit, ajo që ka çuar policinë në identifikimin e tyre.

Mësohet se makina tip “Audi” rezulton në pronësi të Alfred Martinit, i cili ka thënë se mëngjesin e 20 marsit ia kishte dhënë K.S., por pretendon se makina i është kthyer pasditen e po së njëjtës ditë.

Po ashtu Gilbert Toma dhe Kleandro Toma, kanë mohuar të kenë lëvizur me mjetin, me të cilin mendohet se ka lëvizur ekzekutori pas djegies së motorit, i cili dyshohet se është K.S., dhe mendohet të jetë paguar për krimin.

Nard Polia, apo siç njihej Nardi i bujtinave, kishte tre vjet që ishte kthyer nga emigrimi në Itali, ku ka dhe disa precedentë penalë.

Polia është akuzuar për trafik droge, grabitje dhe shfrytëzim prostitucioni, madje është ndaluar nga policia e shtetit fqinj në vitin 2010, si pjesë e një grupi që shpërndante kokainë, te persona të rëndësishëm, mes tyre dhe politikanë.

Pak muaj pas lirimit ai arriti që të lirohej, por pak muaj më vonë u arrestua sërish me 2 kilogramë kokainë.

Grupi ku bënte pjesë viktima, shiste një gramë kokainë për 80 euro, ndërkohë kur klientet ishin femra dhe nuk kishin mundësi të paguanin, iu kërkohej që të kryenin marrëdhënie seksuale.

Por Nardi Polia akuzohet edhe për grabitje, ku në vitin 2010, ai mbeti i plagosur teksa po vidhte në lokal.

Kështu pas shlyerjes së dënimit, në vitin 2015, autoritetet italiane e kthyen në Shqipëri, ku në Theth së bashku me familjen, ndërtoi një bujtinë, e cila rezultoi e suksesshme.

Jo vetëm kaq por ai u emërua administrator i Zonave të Mbrojtura në Parkun Kombëtar të Thethit, pavarësisht të shkuarës problematike në shtetin fqinj.

Edhe nga policia shqiptare ai u procedua penalisht në vitin 2017, për shkak se në zonën e Thethit u zbulua një parcelë me kanabis.

I riu u ekzekutua pasditen e të mërkurës që lamë pas, brenda makinës së tij nga një person me motor. Pas krimit i dyshuari dogji motorin dhe humbi gjurmët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat