Ministri holandez: Shqipëria në rrugën e duhur

Shqipëria

Ministri holandez: Shqipëria në rrugën e duhur

Më: 28 mars 2019 Në ora: 12:52
Foto

Holanda mbështet nismën monumentale të Reformës në Drejtësi në Shqipëri. Kështu deklaroi sot ministri i Drejtësisë dhe Sigurisë të Holandës, Ferdinad Grapperhaus, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në vendin tonë. Ministri Holandez si dhe ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj morën pjesë në aktivitetin e organizuar në ambientet e Shtëpisë së Europës, për lançimin e projektit “Mbështetje ndaj Shkollës së Magjistraturës për zhvillimin dhe zbatimin e Programeve të Formimit Fillestar dhe të Vazhduar”.

Gjatë këtij aktiviteti, u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Shkollës së Magjistraturës dhe Qendrës së Trajnimeve dhe Studimeve për Gjyqësorin në Utreht të Holandës, në prani të magjistratëve të rinj. Në fjalën e tij, ministri Grapperhaus, shprehu mbështetjen e plotë të Holandës në nismën monumentale të Reformës në Drejtësi në Shqipëri.

Ai theksoi se “Shteti i së Drejtës” është fokusi i integrimit të Shqipërisë në BE dhe se Shqipëria është në rrugën e duhur. Ai e cilësoi monumental procesin e vetingut dhe u tha magjistratëve të rinj, se ata janë shpresa e Shqipërisë, pasi vetëm nëpërmjet forcimit të shtetit të së drejtës, vendi do integrohet në Bashkimin Europian. Ndërsa ministrja Gjonaj theksoi se “vetëm nëpërmjet kësaj qasjeje në u garantojmë qytetarëve shqiptare një sistem drejtësie siç ata e meritojnë: të drejtë, të pavarur dhe të denjë për një shtet Europian”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat