Myslym Murrizi: Grupi ynë parlamentar do të ndryshojë sistemin zgjedhor

Shqipëria

Myslym Murrizi: Grupi ynë parlamentar do të ndryshojë sistemin zgjedhor

Më: 28 mars 2019 Në ora: 13:11
Myslym Murrizi

I përjashtuari i PD-së dhe deputeti i ri i opozitës Myslym Murrizi në një intervistë për gazetën “Shekulli” tha se grupi i ri opozitar tashmë e ka spostuar tërësisht opozitën e Bashës. Sipas rregullores, ata do të jenë sot në Kuvend dhe do mbushin vendet e lëna nga opozita, e cila do të protestojë jashtë Kuvendit. Murrizi tha ndër të tjera, se shtatë deputetë mjaftojnë për të formuar grupin parlamentar. Ai thotë gjithashtu, se duhet ndryshuar kodi zgjedhor, duke sfiduar kështu kreun e PD-së, që sipas tij nuk ka interes ta ndryshojë pasi do të mbrojë karrigen e tij.

Z.Murrizi, cilat do jenë hapat e tjerë të opozitës së re?

Nesër do vendosen pasi të konstituohet grupi. Ne nuk kemi qenë 7, por nesër bëhemi tetë. Kismet bëhemi 9-10-11. Më pas do zgjedhim një kryetar grupi, sepse nuk do veprojmë të shkoqur. KQZ-ja ka detyrim ligjor t’ju bëjë me dije gjithë kandidatëve që t’i thërrasë. Unë besoj se do ketë edhe të tjerë nga ata që do të pranojnë mandatin. Me rregullore të Kuvendit duhen 7 deputetë që të formojnë grupin parlamentar. Sistemi më i miri është maxhoritari. Historia e pluralizmit në Shqipëri nuk ka çuar ndonjëherë vendin në zgjedhje të parakohshme me protesta. Por revolucioni ka çuar në zgjedhje të parakohshme, siç ishte 97-ta te ne. Është tjetër gjë nëse dalin qytetarët në protestë dhe tjetër kur del anëtarësia e një forcë politike. Rruga që ka zgjedhur opozita për rrëzimin e Ramës është rrugë qorre. Opozita e re tashmë është në dorë të qytetarëve, po na besuan fjalët tona që do themi në Kuvend. Asnjë nga deputetët nuk ka qenë të marrëveshja e 18 Majit. Pse aludoni për neve, nuk aludoni për të zotin e punës. Ai ka marrëveshje me të. Pse duhet të kemi ne mbështetjen e tyre dhe nuk e paska ky?

E shikoni veten si drejtues të opozitës së re parlamentare?

Është një oreks që unë e kam shuar 29 vjeç. Në ‘97-ën kam qenë deputet. Kur Genc Pollo e tradhtoi PD-në dhe e shante, unë isha sekretar i grupit parlamentar. Nuk jam Oerdi unë që është skuth tavolinash. Unë me shpresë të Zotit, bashkë me ata që do të vijnë aty, do kushtëzojmë votën tonë për ta prishur këtë sistem të degjeneruar politik. Për t’i bërë deputetët që të zgjidhen nga qytetarët. Për t’i hapur listat, që t’iu bjerë pashallëku kryetarëve që nuk i p… askush në elektorat, por kanë monopolin e vulës dhe hartojnë lista me një tufë servilësh. Kushtëzimi me 84 vota do t’i detyrojë që ta ndryshojnë sistemin. Po të kishte kurajo Basha së bashku me skuthat që ka çuar për reformën zgjedhore për ta ndryshuar këtë sistem, mandatin tim do t’ia përplasja Gazmend Bardhit. Dhe do të dilja përpara qytetarëve dhe të kërkoja votë kurdo që do bëheshin zgjedhjet. Ligji i 2008-ës që ka bërë Berisha me Ramën është ligji më i poshtër se në kohën e diktaturës. Nga një sekretar që ka pasur partia e punës, me Ramiz Alinë, janë bërë tre sekretarë të parë: Enver Rama, Enver Basha dhe Enver Kryemadhi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat