Xhaçka: Shqipëria një partner i besueshëm dhe strategjik në NATO

Shqipëria

Xhaçka: Shqipëria një partner i besueshëm dhe strategjik në NATO

Më: 28 mars 2019 Në ora: 22:11
Olta Xhaçka

Në vigjilje të festimeve të 10-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka tha se Shqipëria jo vetëm e ka justifikuar anëtarësinë e saj në Aleancën më të madhe ushtarake por është tashmë një partner i besueshëm dhe strategjik i saj.

“Një partner që jo vetëm po punon për të përmbushur detyrimet e tij ndaj NATO-s, por që në këto 10 vite ka treguar vazhdimisht që është i gatshëm dhe i aftë të kompensojë me shumë dedikim dhe profesionalizëm edhe ato që mund të konsiderohen si mungesa dhe kufizime. Është dashur shumë e shumë punë në këto 10 vjet për të vazhduar transformimin e  Forcave të Armatosura dhe mbi të gjitha transformimin e shtetit shqiptar dhe shoqërisë shqiptare”, thotë Xhaçka.

Në mbrëmjen festive të mbajtur në Pallatin e Brigadave, Ministria e Mbrojtjes theksoi se NATO do të dijë të përballet me sfidat dhe kërcënimet e kohës.

“Nuk kam asnjë dyshim  se ashtu siç ka bërë gjatë 70 viteve të ekzistencës së saj, NATO do të dijë sërish të ndryshojë dhe të përshtatet ndaj çdo krize dhe çdo kërcënimi”, tha ajo.

Para aleatëve dhe partnerëve nga 29 vende të NATO-s, Xhaçka vlerësoi mbështetjen që SHBA dhe anëtarët e tjerë të aleancës kanë dhënë për modernizimin e Forcave të Armatosura shqiptare.

Të premten në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" do të zhvillohen festimet në kuadër të 10 vjetorit të Shqipërisë në Aleancë ndërsa avionët e NATO-s do të fluturojnë mbi Tiranë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat