Shqipëri, bie ritmi i rritjes ekonomike

Shqipëria

Shqipëri, bie ritmi i rritjes ekonomike

Më: 29 mars 2019 Në ora: 23:06
Ndikimin kryesor në periudhën e fundit të vitit, duket se e ka dhënë rënie e prodhimit të energjisë elektrike

Ritmet e rritjes ekonomike të Shqipërisë u ngadalësuan në tremujorin e katërt të vitit 2018, i cili shënoi kuotën më të ulët që prej mesit të 2016, duke u ndalur në 3.1 përqind, sipas të dhënave të publikuara të premten nga Instituti shqiptar i Statistikave. Megjithatë, viti i kaluar mbetet sërish me rritjen më të lartë të viteve të fundit, në nivelin e 4,06 përqind, falë ecurisë mjaft të mirë në 9 muajt e parë, ku ritmet e rritjes ishin 4,42 përqind në tremujorin e parë, 4,32 përqind në të dytin dhe 4,48 përqind në të tretin.

Ndikimin kryesor në periudhën e fundit të vitit, duket se e ka dhënë rënie e prodhimit të energjisë elektrike, e cila ishte kontribuesja kryesore në tremujorët pararendës, falë kushteve të favrshme të motit, që nxitën rritjen e prodhimit nga hidrocentralet. Në fakt Industria, Energjia dhe Uji, kontribuan me 1,1 pikë përqindje në tremujorin e fundit, ndërsa aktiviteti i këtij grupi u rrit me 9,94 përqind, por falë vetëm ecurisë së mirë të Industrisë nxjerrëse dhe asaj përpunuese.

Sa i përket degëve të tjera të ekonomisë, aktiviteti Financiar dhe i Sigurimit ka shënuar një rritje prej 8,54 %; grupi i aktiviteteve Informacioni dhe Komunikacioni u shfaq me rritje prej 4,47 %; Tregtia, Transporti, Akomodimi dhe Shërbimi ushqimor patën një rritje prej 3,42 %, ndikuar kryesisht nga Tregtia me shumicë, e cila shënoi rritje me 5,24 %. Aktiviteti i Ndërtimit pati rritje me 2,51 %, i ndjekur nga grupi i Aktiviteteve profesionale dhe Shërbime administrative me + 2,42 %, dhe aktiviteti i Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit me +0,70 %./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat