Tre gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, 130 vendime për 1 ditë. Në listë, 31 mijë dosje

Shqipëria

Tre gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, 130 vendime për 1 ditë. Në listë, 31 mijë dosje

Më: 30 mars 2019 Në ora: 11:47
Ilustrim

Plot 31 mijë dosje janë të regjistruara në Gjykatën e Lartë dhe presin të shqyrtohen, ndërsa ky institucion ka mbetur me vetëm 3 anëtarë, pasi pjesa tjetër e gjyqtarëve është shkarkuar nga procesi i vetingut.

Problemi i dosjeve të mbetura stok ka filluar më herët në Gjykatën e Lartë, e cila aktualisht është në pamundësi për të marrë në shqyrtim dosjet në Kolegje, ndërsa puna është duke u zhvilluar për dosje që kanë urgjencë.

“Aktualisht, numri i dosjeve të regjistruara në Gjykatën e Lartë, deri në përfundim të 3-mujorit të parë të 2019-ës, është rreth 31.000, prej të cilave 16.000 dosje civile, 10.000 dosje administrative dhe 5.000 dosje penale”, njoftoi zyrtarisht Gjykata e Lartë. Më tej, në njoftim bëhet e ditur se drejtuesi i kësaj Gjykate, Xhezair Zaganjori, dhe dy anëtarët, Edmond Islamaj dhe Medi Bici, janë duke zhvilluar seanca edhe për shqyrtime në themel të dosjeve dhe gjatë ditës së enjte, datë 28 mars, kanë dalë me vendim për 130 dosje në total.

“Në përfundim të tremujorit të parë të vitit 2019, bëjmë me dijë se, në Gjykatën e Lartë, megjithëse në përbërje vetëm me tre gjyqtarë, vazhdon shqyrtimi i dosjeve gjyqësore të regjistruara, përfshirë këtu edhe çështje të themelit. Për shkak të situatës së krijuar, me të cilën përballet sot kjo Gjykatë, përparësi i është dhënë shqyrtimit të çështjeve më urgjente me natyrë civile, administrative dhe penale. Vetëm ditën e enjte, datë 28.03.2019, trupa gjyqësore arriti të marrë vendime për rreth 130 dosje të tilla”, njoftoi Gjykata.

Punën për të ulur numrin e lartë të dosjeve që presin të shqyrtohen janë duke e vazhduar edhe këshilltarët e mbetur në Gjykatën e Lartë, që aktualisht janë 9. Bazuar në një urdhër të Kryetarit të Gjykatës, ata vazhdojnë studimin e dosjeve dhe hartimin e relacioneve përkatëse. Kujtojmë se gjatë verës së 2018-ës, njëri pas tjetrit, KPK shkarkoi pjesën më të madhe të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, duke rikonfimuar në detyrë kreun Xhezair Zaganjorin dhe gjyqtarët Edmond Islamaj, Ardian Dvorani dhe Medi Bici.

Ndërkohë që u shkarkuan Admir Thanza, Tom Ndreca, Artan Zeneli, Shkëlqim Selimi dhe Artan Broci. Konkretisht, Admir Thanza u shkarkua sepse kishte fshehur në formularin e vetëdeklarimit një dënim të marrë në Itali në vitin 1999. Tom Ndreca, përveç problemeve me pasurinë, u shkarkua edhe për lidhje me persona të inkriminuar. Shkëlzen Selimi u shkarkua bazuar vetëm në kriterin e pastërtisë së figurës.

Nga hetimi rezultoi se gjyqtari Selimi ka lidhje me kontakte të papërshtatshme. Ndërsa gjyqtarët Artan Broci e Artan Zeneli u shkarkuan për deklarim të pasaktë të pasurisë dhe mungesë të burimeve të ligjshme për ta justifikuar atë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat