Pas ankesës së banorëve, ministria merr vendim për 2 HEC-et në Kurbnesh

Shqipëria

Pas ankesës së banorëve, ministria merr vendim për 2 HEC-et në Kurbnesh

Më: 30 mars 2019 Në ora: 11:47
Ilustrim

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të anulojë ndërtimin e dy HEC-eve të parashikuar për t’u ngritur në lumin Urakë, në zonën e Kurbneshit.

Vendimin e ka bërë të ditur ministrja, Belinda Balluku, gjatë një dëgjese publike që zhvilloi me banorët e kësaj zone, të cilët shqetësimet e tyre, sa i takon ndërtimit të këtyre dy HEC-eve, e kishin adresuar në platformën e bashkëqeverisjes shqipëriaqëduam.al.

Balluku tha se qeveria është e ndjeshme ndaj kërkesave të komunitetit dhe se tashmë kanë nisur procedurat për prishjen e kontratave për ndërtimin e dy HEC-eve. Ministrja theksoi se zona në fjalë është një zonë e mbrojtur dhe në të nuk do të lejohet asnjë ndërtim.

“Qeveria është shumë e ndjeshme 

ndaj kërkesave të komunitetit dhe duke qenë se kjo zonë është shpallur një zonë e mbrojtur, këtu nuk do të lejohet ndërtimi i këtyre dy HEC-eve. Kjo është një zonë e mbrojtur, kështu që dhe në të ardhmen ju nuk do keni problematika të tjera”, u shpreh Balluku.

Ministrja theksoi se Qeveria ka në fokusin e saj nxitjen e investimeve, por pa rënë ndesh me interesat e qytetarëve. “Ne e nxisim zhvillimin e ekonomisë, i mbështesim investitorët, por asnjëherë kur keto investime bien në kundërshtim me kërkesat, apo me të mirën e komunitetit”, theksoi Balluku.

Ministrja u bëri thirrje banorëve që për shqetësimet që ata kanë t’i drejtohet platformës së bashkëqeverisjes, duke sjellë në vëmendje faktin që shqetësimi që ata adresuan për HEC-et mori zgjidhjen e duhur.

“Platforma e bashkëqeverisjes është vendi i duhur ku ju duhet të ankoheni, vendi ku juve ju dëgjohet zëri dhe ne i japim zgjidhje çdo problematike, e cila e ka një zgjidhje, apo ankesa qëndron. Drejtohuni platformës së bashkëqeverisjes për t’ju dhënë zgjidhje, ashtu siç po e zgjidhim dhe sot”, është shprehur ministrja Balluku.

Duke ju përgjigjur shqetësimit të banorëve për projektet e tjera të HEC-eve që janë projektuar në lumin Urakë, ministrja Balluku theksoi: “Uraka është e Mirditës. Uraka nuk është e askujt tjetër. Zonat e mbrojtura do mbrohen nga qeveria shqiptare, por dhe nga banorët”.

E pranishme në këtë dëgjesë, deputetja Lindita Nikolla falënderoi banorët të cilët u angazhuan duke ju drejtuar platformës shqipëriaqëduam.al për shqetësimin e tyre. “Unë do dua të falënderoj ata qytetarë të kësaj zone që i janë drejtuar platformës së bashkëqeverisjes, të cilët kanë adresuar shqetësimin e tyre se mos ndoshta në lumin Urakë kemi zhvillime investuese në energji”, nënvizoi Nikolla.

Banorët nga ana e tyre e kanë falenderuar ministren Balluku për reagimin e shpejtë ndaj kërkesës së tyre për anullimin e dy HEC-eve si dhe kanë dhënë ide e mendime lidhur me projekte të tjera infrastrukturore që do t’i jepnin një zhvillim më të madh zonës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat