Argjinatura e Shkumbinit, fund përmbytjeve të tokave dhe shtëpive

Shqipëria

Argjinatura e Shkumbinit, fund përmbytjeve të tokave dhe shtëpive

Më: 31 mars 2019 Në ora: 16:44
Foto ilustrim

Ngritja e argjinaturës në njësinë administrative të Shushicës në Elbasan, do t’i japë fund përmbytjeve të tokave dhe rrezikut të përmbytjes së shtëpive për banorët e kësaj zone.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, njëherazi drejtuesi politik i Qarkut të Elbasanit, Taulant Balla i shoqëruar nga Prefekti i Elbasanit, Gledian Llatja dhe deputeti i zonës, Arben Kamami inspektuan nga afër punimet për ngritjen e kësaj argjinature.

Në fjalën e tij gjatë takimit me banorët Balla u shpreh se ky është viti i tretë radhazi që investohet në argjinaturën e Shkumbinit me qëllim që të shmangen përmbytjet e tokave të banorëve dhe se falë reformës administrativo-territoriale u bë i mundur bashkimi i Shushicës me bashkinë e Elbasanit, gjë që krijon mundësinë për investime të tilla pavarësisht kapitalit të lartë.

“Ky është viti i tretë radhazi që investohet në argjinaturën e lumit Shkumbin. Ne sot erdhëm për të parë punimet që janë bërë. Janë hedhur goxha para’ për të bërë këtë pritë. Të gjithë e dimë se kur Shushica ishte komunë mundësia për të bërë këtë investim ishte zero. U desh të bëhej reforma administrativo- territoriale në vitin 2015 për ta futur fshatin tuaj pjesë të Bashkisë Elbasan. Është detyra që po bëjmë dhe për të cilën ju na keni votuar. Sot unë jam shumë krenar të them se ne kemi shpëtuar nga përmbytjet sa e sa hektarë tokë”, tha numri dy i Partisë Socialiste.

Prefekti i Qarkut të Elbasanit, Gledian Llatja, theksoi rëndësinë e këtij investimi që i jep fund rrezikut të përmbytjes së tokave të banorëve të kësaj zone.

Ai u shpreh se ky problem ishte ngritur nga vetë banorët gjatë takimeve të bashkëqeverisjes me qytetarët.

“Ka qenë një iniciativë e prefektit për shkak edhe të emergjencave dhe kërkesave që vinin nga banorët për lumin që i merrte tokat dhe që rrezikonte t’u futej në shtëpi.Ky investim ka hequr rrezikun e erozionit ka hequr rrezikun e përmbytjes së tokave.Të njëjtin projekt ne do fillojmë këtë vit edhe për lagjen Baldavere të Shushicës që është një projekt prej 430 milion lekësh të vjetra. Gjatë takimeve të bashkëqeverisjes me qytetarët verën e kaluar ne morëm shumë ankesa me problematika të tilla sidomos nga zonat e fshatrave ku kalon Shkumbini. Ka problematika të tilla edhe në zonën e Peqinit. Shkumbini kur vjen, edhe për shkak të shfrytëzimit masiv që i është bërë gjatë viteve të tranzicionit, pa kriter ka marrë shumë toka. Ne themi se me këtë investim është stabilizuar kjo pjesë”, theksoi Llatja.

Deputeti i zonës, Arben Kamami, tha se “do të heqë rrezikun permanent që kjo zonë ka prej 30 vitesh nga lumi Shkumbin sidomos në periudhën e prurjeve dhe se kjo argjinaturë së bashku me dy argjinaturat e tjera do përmirësojë cilësinë e jetës së banorëve të zonës dhe do heqë rrezikun e përmbytjes së tokave”. ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat