10 vjet në NATO, Nishani: Pasardhësit e bolshevikëve u përpoqën ta bllokojnë me protesta të dhunshme

Shqipëria

10 vjet në NATO, Nishani: Pasardhësit e bolshevikëve u përpoqën ta bllokojnë me protesta të dhunshme

Më: 1 prill 2019 Në ora: 09:43
Bujar Nishani

Ish-presidenti Bujar Nishani përshëndet 10-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, si aleanca më e fuqishme politiko-ushtarake në historinë botërore të paqes.

Në një reagim në rrjetet sociale, Nishani kujton se kjo arritje u përpoq të pengohej, nga ata që ai i cilëson si ‘pasardhësit e bolshevikëve’, përmes protestave të dhunshme.

“Sot , 10-të vite nga anëtarësimi i Shqipërisë në NATO.
Aleanca politiko-ushtarake më e fuqishme dhe më e suksesshme në historinë botërore të paqes dhe sigurisë.
Arritje historike e shqiptarëve që bën krenar e me nder këdo që u përpoq me mish e me shpirt për ta arritur, dhe me turp e në harresën historike këdo që mori misionin e dështuar ta pengojë dhe dëmtojë rrugëtimin e Shqipërisë në NATO.
Pasardhësit e bolshevikëve të cilët bënë përpjekje mjerane që të bllokonin anëtarësimin e Shqipërisë në NATO përmes protestave të dhunshme e artificiale në qytetet e vendit, tashmë kanë bllokuar rritjen e buxhetit të mbrojtjes si domosdoshmëri për modernizimit e Forcave tona të Armatosura.
Kanë rrënuar sigurinë ekonomike, juridike e profesionale të ushtarakëve tanë duke cënuar rëndë kështu dinjitetin dhe integritetin e tyre, duke i lënë në nivele ekonomike mizerabël familjet e nderuara të tyre.
Kanë rrënuar deri në fund imazhin e Shqipërisë dhe shqiptarëve duke e kthyer atë në modelin e trafikantëve ndërkombëtar të drogës dhe krimit të organizuar ndërkombëtar që pastron paratë e pista në këtë vend.
Sot nderojmë të gjithë ata burra dhe gra ushtarakë shqiptarë që kanë përmbushur me nder misione të shumta lirie nën flamurin kuq e zi dhe atë transatlantik.
Përulemi, kujtojmë e nderojmë dëshmorët tanë të rënë në këto misione dhe të gjithë të rënët e tjerë të këtyre shërbimeve për paqen.
Liria nuk falet kurrë.
Ajo fitohet me përpjekje e sakrifica”, shkruan Nishani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat