Ministria e Mbrojtjes: Situatë shqetësuese nga zjarret, akte kriminale të qëllimshme

Shqipëria

Ministria e Mbrojtjes: Situatë shqetësuese nga zjarret, akte kriminale të qëllimshme

Më: 1 prill 2019 Në ora: 15:28
Ilustrim

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka në një deklaratë për media ka komentuar situatën e zjarrëve që kanë përfshirë vendin ditët e fundit.

“Sivjet kemi 243 vatra zjarri. Këto zjarre janë ndezur qëllimisht, akte kriminale. Pra s’kemi të bëjmë me zjarre të vëna për të hapur kullota apo zjarre të vëna padashje duke djegur mbeturinat. Në pjesën dërrmuese këto janë akte të pastra vandalizmi, për mos ju vënë akoma një emër tjetër në mungesë të provave konkrete që do t’i zbulojnë hetimet.

Janë akte që për nga logjika e natyra u ngjajnë si dy pika uji atyre sulmeve me kallëpe tritoli ndaj shtyllave të tensionit të lartë, që ndoshta si për rastësi kanë ndodhur po gjatë të njëjtës periudhë”- u shpreh Xhaçka.

Më tej ajo e ka cilësuar një situatë shqetësuese sepse dëmi i shkaktuar është i madh, pasi deri tani janë djegur mbi 245 hektarë pyje e kullota, ndërkohë që në shumë raste zjarret ende nuk është arritur të vihen nën kontroll.

“Është një situatë shqetësuese edhe sepse me dhjetra efektivë të FA janë sot duke punuar papushim, në kushte shumë të vështira dhe të rrezikshme për të shuar këto zjarre dhe sidomos për të parandaluar që ato të përhapen drejt zonave të banuara, ku dëmet mund të bëheshin shumë herë më të rënda. Përfitoj nga rasti për t’i falënderuar të gjithë ata djem e vajza për punën që po bëjnë në shërbim të komunitetit dhe ruajtjes se pasurisë së përbashkët”, tha ajo.

Xhaçka në deklartën e saj dha disa fakte që edhe media, por edhe qytetarët të kuptojnë më mirë përse e quaj këtë një situatë të pazakontë.

“Gjatë muajit Mars janë shënuar plot 243 vatra zjarri, të shpërndara gjeografikisht në pothuajse të gjithë territorin e vendit. Mesatarisht, 8 vatra zjarri në ditë, edhe pse temperaturat kanë qenë nën 20 gradë, e madje në shumë prej këtyre zonave shumë më poshtë se aq. Vjet, në të njëjtën kohë ky numër ka qenë 0 edhe pse kushtet atmosferike kanë qenë të ngjashme. Dhe sado të kthehesh mbrapsht në vite nuk mund të gjesh një vit tjetër me këtë frekuencë zjarresh”, shtoi ajo..

Në këtë situatë, kur akte të tilla jo vetëm që po shkatërrojnë pronën e përbashkët, por sipas Xhaçkës edhe synojnë të krijojnë një situatë alarmi e shqetësimi tek qytetarët, ajo i bën thirrje të gjithë forcave politike, të gjithë politikanëve, që t’i bashkohen për të denoncuar dhe për të luftuar këtë fushatë që nuk shkon në dëm të qeverisë, por në dëm të vendit.

“U bëj thirrje autoriteteve lokale, të gjitha strukturave të njësive të qeverisjes vendore që në disa raste kanë qenë gati inekzistente përpara këtyre situatave, se, minimumi që këto struktura duhet të bëjnë me punonjësit e drejtorët, me këshilltarët bashkiakë e administratorët e kryepleqtë, pra me këtë ushtri njerëzisht që janë sot në borderotë e njësive të qeverisjes vendore, është që të informojnë në kohë për këto zjarre, të veprojnë menjëherë për parandalimin e përhapjes së tyre.

Bashkë me ta ftoj edhe të gjithë qytetarët që të na ndihmojnë duke na informuar në kohë për zjarret, por edhe duke na informuar kurdo që kanë informacion për individët e grupet që qëndrojnë pas këtyre akteve të qëllimshme kriminale”, tha ministrja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat