Basha: Regjimi i Edi Ramës është i mbaruar politikisht

Shqipëria

Basha: Regjimi i Edi Ramës është i mbaruar politikisht

Më: 1 prill 2019 Në ora: 18:19
Lulzim Basha

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë një takimi sot me banorët e zonës së Malësisë së Madhe, theksoi se beteja që opozita po zhvillon sot është për vlerat e lirisë dhe demokracisë.

“Sot beteja jonë zhvillohet për një vlerë themelore, për vlerat e lirisë, për vlerat e demokracisë, pa të cilat nuk mund të ketë çelje të dyerve të Evropës për Shqipërinë. Punët shkojnë keq e më keq, dhe për fat të keq një nga dramat më të mëdha që po përjeton Malësia, sikundër edhe Shqipëria, është rritja e frikshme e numrit të personave që largohen nga shtëpitë e tyre, në emigracion pjesa dërmuese, apo në disa raste drejt qytete për të kërkuar shanse për një jetë më të mirë. Isha në Hot dhe ajo që pashë ishte mbyllja masive e shkollave, zvogëlimi i klasave për shkak të largimit të prindërve. Gjimnazi i Koplikut ka zbritur nga 700 në 350 gjimnazistë”, tha Basha.

Ai me këtë rast nuk kurseu edhe akuzat në drejtim të kryeministrit Edi Rama.

“Kjo nuk është demokraci, kjo nuk është liri, kjo nuk është Evropë. Edi Rama ka instaluar një diktaturë të re, diktaturën e hajdutëve dhe kriminelëve, ku nuk ka vend për njeriun e ndershëm dhe kjo është arsyeja se përse biznesi nuk gjen vend për zhvillim. Regjimi i Edi Ramës është një regjim i mbaruar politikisht. Beteja jonë është për ta shembur këtë sistem”, tha Basha./ATSH/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat