Komisionerët e zgjedhjeve, KQZ cakton emrat e PS. Opozita nuk i dërgoi

Shqipëria

Komisionerët e zgjedhjeve, KQZ cakton emrat e PS. Opozita nuk i dërgoi

Më: 2 prill 2019 Në ora: 12:37
Foto

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të emërojë këtë të martë komisionerët e Partisë Socialiste për zgjedhjet vendore të 30 qershorit.

Ndërkohë, PD dhe LSI nuk i paraqitën propozimet e tyre brenda afateve ligjore. Si pasojë, kryetari i KQZ-së, në mbledhjen e shkuar iu bëri thirrje qytetarëve të aplikojnë për komisionerë, për të plotësuar këto vakanca.

Por a përbën një sinjal bojkotimi zgjedhjesh, fakti që opozita nuk i dërgoi propozimet e saj në KQZ?

Radikalizimin e qëndrimit të saj ndaj Kuvendit të Shqipërisë, opozita e ka shoqëruar me zotimin se zgjedhje me Edi Ramën nuk do të ketë, e për këtë, PD dhe LSI vendosën të mos dërgonin emrat për komisionerë zonalë. Për bojkot është ende herët të flitet, pasi e kaluara ka treguar se komisionerët janë përcaktuar edhe në momentet e fundit.

Nga ana e kryetarit të PD-së nuk ka pasur një qëndrim të prerë dhe të qartë, nëse Partia Demokratike do të futet në zgjedhje, apo do t’i bojkotojë, ndërkohë që aleatët e tjerë kanë qenë më të qartë: jo vetëm shprehen pro bojkotit, por duan edhe shtyrjen e zgjedhjeve.

Por, a ka sinjale nga partitë e opozitës për të plotësuar në një kohë më të vonshme vendet vakante me komisionerë?

Deri më tani mungon një konfirmim apo një sinjal i tillë. Por, gjithçka mund të ndodhë nëse kryeministri vendos të largohet, duke përmbushur kështu kushtin kryesor të partive opozitare. Burime konfidenciale për Top Channel kanë konfirmuar se kanë nisur aplikimet e qytetarëve për pozicionet vakante pas thirrjes publike të kryetarit të KQZ-së, Klement Zguri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat