Kuvendi, 1 minutë heshtje për 4 dëshmorët e 2 prillit në Shkodër

Shqipëria

Kuvendi, 1 minutë heshtje për 4 dëshmorët e 2 prillit në Shkodër

Më: 3 prill 2019 Në ora: 12:06
Selia e Kuvendit te Shqiperise

Kuvendi ka nderuar sot me një minutë heshtje 4 dëshmorët e Demokracisë, Bujar Bishanaku, Arben Broci, Nazmi Kryeziu dhe Besnik Ceka, vrarë më 2 prill 1991 në Shkodër, pas propozimit të deputetes së PD-së, Rudina Hajdari.

Duke folur për reformën zgjedhore, Hajdari e ka konsideruar të pavend kërkesën e deputetit dhe sekretarit për Çështjet Zgjedhore në PS, Damian Gjiknuri për të bashkëpunuar me opozitën.

“Kërkesa e ardhur nga Gjiknuri, ishte një kërkesë e pavend nga një deputet i vetëshpallur si kryetar i Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore. Këtij komision i ka mbaruar mandati me 21 shkurt të 2019 pa dhënë asnjë rezultat”, tha ajo

Më tej, Hajdari tha se ata deputetë që ishin në Kuvend nuk janë më. “Ju e keni bërë marrëveshjen me ta dhe jo me këtë opozitën e re”, tha ajo.

“Deklaratat e Damian Gjiknurit ishin shëmbëlltyra me e keqe se çfarë ndodh në këtë sistem partiak në 28 vite. Gjiknuri, jashtë rregullave i shtriu dorën opozitës dhe i tha ju duhet të bëheni pjesë në Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore. Si mundet që një ish-deputet që është qytetar i thjeshtë të bëhet pjesë e reformës zgjedhore?!”, tha ajo

“Propozimi i Partisë Socialiste është një propozim i drejtpërdrejtë për t’u thënë qytetarëve që këta po plotësojnë kriteret e tyre përsa i përket kërkesave të Bashkimit Europian, pra këto vetë thjesht thonë po bëjmë kërkesat, po shtrijmë dorën ndaj opozitës që është jashtë parlamentit dhe po mundohemi të kalojmë këtë reformë zgjedhore e cila në esencë nuk ka as një lloj ndryshimi për popullin, përveç marrëveshjeve të fshehta hajde të ndryshojmë këtë pikë në sytë e ndërkombëtarëve, por në esencë këto lloj reformash nuk sjellin asnjë lloj ndryshimi për sa u përket votuesve shqiptarë. Ju e dini shumë mirë që reforma  apo marrëveshja e 2008 ka na ka çuar në këtë pikë, pra në një farë mënyre ka cenuar demokracinë e Shqipërisë dhe kjo ofertë është një mënyrë për të pasur një marrëveshje nën tavolinë me Partinë Demokratike, apo LSI-në e atyre që janë jashtë. Kjo nuk ka për të ndodhur. Ky komision duhet të mbyllet dhe të merren këta deputet që janë këtu”, tha ajo.

Hajdari theksoi se ka propozimet konkrete për reformën zgjedhore.

“E para kam propozimet që duhet të bëhen përsa i përket partive politike. Në marrëveshjen e  2008, ju keni cenuar parimet demokratike, pra kjo marrëveshje ka krijuar një sistem mbipartiak që të jetë monopol i plotë i Ekzekutivit dhe i kryetarëve të partive duke mos i lënë asnjë lloj hapësire për deputetë për të patur një mendim të pavarur. Në këtë kuadër, mendoj  se duhet të kemi propozime të hapura për sa i përket  zbatimit të OSBE/ODIR, pro që ato rekomandime janë më minimalja që ne t’i garantojmë popullit shqiptar që ata të votojnë në mënyrë të ndershme dhe të lirë. Do të doja me një ndryshim esencial përsa i përket ligjit të partive politike. Të kemi ide të qartë porsa i përket financimit të partive politike e sanksionuar me ligj në Kushtetutë në nenin 9. Ne duhet të deklarojmë si parti politike financat tona për transparencë të publikut. E dyta duhet një organizim më demokratik brenda partive politike, pra që të kemi një mekanizëm ndryshe nga KQZ dhe të thotë në mënyrë të hapur këto parti politike a janë duke zbatuar statusin e tyre, mbase mund të ishte një metodë mbikëqyrje apo monitorimi nëse ne kemi parti që i zbatojnë këto rregulla”, tha ajo.

Gjithashtu Hajdari kërkoi që të eliminohen partitë e vogla politike si dhe depolitizimin e administratës zgjedhore.

“Do propozoja  të eliminojmë partitë e vogla që nuk kanë asnjë lloj funksioni por që paguhen nga taksapaguesit shqiptarë, që nuk kanë asnjë lloj përfaqësimi. Ndërsa i përket Kodit Zgjedhor, ne duhet të depolitizoj administratën zgjedhore, pra nuk dihet të kemi një administratë zgjedhore të propozuar nga partitë politike që ështe dhe një kërkesë e OSBE/ODIR”, tha ajo.

Në fund, Hajdari kërkoi ndryshimin e sistemit zgjedhor duke propozuar sistemin mazhoritar me lista të hapura apo proporcional kombëtar.

“Në fund, kam si propozim ndryshimin e sistemit total zgjedhor. Nuk do ulem në asnjë tryezë me Komisionin Zgjedhor pa pasur ekspertët e OSBE/ODIR, të Komisionit të Venecias dhe KQZ. Dua që ky sistem të ndryshojë, një sistem që u jep sovranitetin popullit. Një sistem me lista të hapura, proporcional, mazhoritar, pra një sistem që zgjidhet nga populli dhe jo nga kryetarët e partive”, tha ajo.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat