Dekriminalizimi, Rama: U prek vetëm 1 deputet i PS mandatin e shkuar

Shqipëria

Dekriminalizimi, Rama: U prek vetëm 1 deputet i PS mandatin e shkuar

Më: 3 prill 2019 Në ora: 12:52
Kuvendi i Shqiperise

Në Grupin Parlamentar të PS-së në mandatin e shkuar ka pasur vetëm një person me një dënim në të shkuarën që e prekte ligji i dekriminalizimt dhe as edhe një tjetër. Kryeministri Edi Rama replikoi sot në Kuvend me deputetin e Partisë Demokratike, Myslym Murrizi i cili më herët duke folur në Kuvend tha se aty ishin ulur 18 trafkantë.

“Më nxore mallin e atyre që na lanë me atë 18 trafikantët. Ti në fakt e ule me një se ata thonë 19. Ai është numri i fiksuar. Është një numër që e keni sajuar vetë, aty tek SHQUP-i, e keni përsëritur vetë pa pushim, e keni shpërndarë pa fund”, theksoi Kryeministri.

Sipas tij, nga i gjithë procesi i të ashtuquajtuarit dekriminalizim në Grupin Parlamentar të PS në mandatin e shkuar ka pasur vetëm një person me një dënim në të shkuarën që e prekte ligji dhe as edhe një tjetër.

“Dhe ka pasur dy raste të tjera, një që i takon Grupit Parlamentar të PS dhe një tjetër më parë që janë përfshirë në procese të natyrës penale, jo për të shkuarën, jo për dekriminalizimin, por për akte të kryera gjatë periudhës së ushtrimit të detyrës së deputetit”, vuri në dukje Rama.

“Grupi ynë parlamentar është një grup që harmonizon të gjitha shtresat përfaqësuese të të gjithë territorit të Shqipërisë. Dhe e kam thënë njëmijë herë si në çdo grup parlamentar ka deputetë që janë aktiv në parlament dhe ka deputetë që vijnë nga territoret dhe kanë fuqi të madhe përfaqësimi në territore dhe prandaj nuk janë aktiv në foltoren e parlamentit dhe nuk mund t’i gjykojë dot as Andi Kadriu, as Kadri Lubonja, as Yll Kadri Kadriu. Se këta janë ata që medemek mbajnë flamurin e intelektualizmit të kazanit”, tha Rama.

Duke iu drejtuar deputetit të LSI-së, Ralf Gjoni, Rama u shpreh se me të e lidhte ndjenja e solidaritetit pasi “jemi të dy viktima shoqatës për mbrojtjen nga boja”.

“Ti pate fat se more bojë të bukur, bojë të kuqe, që për fat të keq është e vetmja bojë që njeh doktoresha e shkencave horoskopike se thonë që filxhani shihet më mirë kur i hidhet pak e kuqe se ngrihen ato shejtanët përpjetë dhe shef se kush është shejtani më i madh. Unë e mora të zezë se është boja e partisë së Myslymit. E zezë se ata nuk shohin gjë tjetër shohin vetëm bardh e zi, zi dhe bardhë. Kështu që Ralf mos u shqetëso për shëndetin e Presidentit. Junta ia uroi shëndet paç z.President me kor mu në Bulevard. Presidenti u lehtësua nga ajo barrë. Shih pjesën tënde të Presidentit”, replikoi Rama.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat