Raporti i vlerësimit, FMN: Shlyeni borxhet. Të ardhurat nga taksat u rritën

Shqipëria

Raporti i vlerësimit, FMN: Shlyeni borxhet. Të ardhurat nga taksat u rritën

Më: 3 prill 2019 Në ora: 15:15
Foto

Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka kërkuar qeverisë shqiptare të shlyejë sa më shpejt detyrimet e prapambetura ndaj biznesit. Në një vlerësim të hollësishëm mbi administratën tatimore, FMN vëren se borxhet e prapambetura të qeverisë për rimbursimin e TVSH-së u rritën sërish vitin e kaluar, duke arritur në 14.8 miliardë lekë, ose rreth 120 milionë euro.

“Integriteti dhe besueshmëria e sistemit tatimor varet në rimbursimin e shpejtë të TVSH-së. Është shqetësuese që detyrimet e prapambetura janë rishfaqur”.

Në analizën e sistemit tatimor, FMN përsëriti kritikat për vendimin e qeverisë, që përfshiu biznesin e vogël në TVSH, duke theksuar se kjo masë ka rritur kostot pa sjellë të ardhura për buxhetin.

“Futja e biznesit të vogël në TVSH do të ketë impakt të vazhdueshëm negativ në kostot e biznesit dhe punën e Tatimeve, pa sjellë të ardhura domethënëse”.

Por, pavarësisht këtyre zhvillimeve negative, FMN ka vlerësuar administratën tatimore dhe përmirësimin e rendimentit fiskal në 3 vitet e fundit.

“Të ardhurat nga taksat janë rritur, nga 23.8% e prodhimit kombëtar që ishin në 2015-n, në 26% në fund të 2017-s, duke reflektuar rigjallërimin e ekonomisë. Tatimet kanë bërë progres të mirë në administrim, i cili duhet të ruhet”.

Sipas FMN-së, këto arritje kërcënohen nga ngushtimi i bazës fiskale, veçanërisht favoret e taksave që qeveria ka bërë për sektorë të veçantë si turizmi apo prodhuesit farmaceutikë, apo të tjerë, çka komplikon sistemin dhe hap shtigje për evazion.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat