Lihet në burg ish-drejtori i Patentave dhe ish-kancelari i Gjykatës, dhanë mijëra euro hua me interes

Shqipëria

Lihet në burg ish-drejtori i Patentave dhe ish-kancelari i Gjykatës, dhanë mijëra euro hua me interes

Më: 4 prill 2019 Në ora: 10:13
Ish-drejtori i Patentave dhe ish-kancelari i Gjykatës

Gjashtë prej 12 të arrestuarve gjatë operacionit “Maranaj”, për dhënie parash me fajde, janë lënë në arrest me burg nga Gjykata e Apelit në Shkodër.

Ndërsa gjashtë të tjerë u liruan me detyrim paraqitjeje. Mes gjashtë personave të lënë në burg ishin ish-drejtori i Transportit në Shkodër, Ilir Sokoli dhe ish-kancelari i Gjykatës së Shkodrës, Artan Dragani, të cilët bashkë me katër të tjerë akuzohen për “ushtrim pa licencë të veprimtarisë bankare”, ndërsa si provë Prokuroria ka paraqitur përgjime ambientale.

FAJDEXHINJTË

Berhan Alija u la në “arrest me burg”, pasi dyshohet se i ka dhënë një borxh prej 74 mijë eurosh ish-prefektit Paulin Radovani me fajde, ndërsa këtë veprimtari, sipas dyshimeve, e ushtronte bashkë me djalin e tij, Jonuz Alija dhe Endri Mustafa, këta të fundit janë në kërkim policor. Jonuz Alija, sipas përgjimeve, i ka thënë ish-prefektit “mos harro borxhin e babës”. “Arrest me burg” u caktua dhe për Edi Memçaj për shkak se dyshohet për ushtrim pa licencë të veprimtarisë bankare. Ky shtetas ka disa kontrata huaje me familjen Radovani.

Ish-prefekti ka deklaruar për shtetasin Edi Memçaj se nuk e di shumën e saktë sa i ka borxh, por është shprehur se ato para janë dhënë me fajde. Pronat e familjes Radovani, që kanë kaluar në favor të Edi Memçaj dhe përgjimet, për Gjykatën e Apelit, janë rrethana të mjaftueshme që të jepet masa e sigurisë “arrest me burg”. Pretendimet e Edi Memçaj, sipas Gjykatës, nuk i përgjigjen fazës së hetimeve. Për Ilir Sokolin po ashtu u vendos masa “arrest me burg”, pasi ka bërë disa takime me shtetasin Paulin Radovani. 70 mijë euro Ilir Sokoli, sipas përgjimeve, ia ka marrë Edi Memçajt për t’ua dhënë djemve të ish-prefektit. Ilir Sokoli, sipas përgjimeve, i ka thënë që paratë nuk i ka të vetat. “Arrest me burg” i përgjigjet fazës së hetimit dhe jepet për të mos cenuar provat për Ilir Sokolin.

Artan Dragani, ish-kancelari, u la në “arrest burg”. Në përgjime rezulton se Artan Dragani ka deklaruar se ka dhënë borxh 180 mijë euro. Paulin Radovani ka thënë se i ka borxh, por s’e di se sa është borxhi ndaj ish-kancelarit. Sipas ishprefektit, shtetasi Artan Dragani i ka sjellë lekë nga Luksemburgu dhe ia ka dhënë me fajde, ndaj Gjykata në bazë të këtyre përgjimeve vendosi “Arrest me burg”. Pashko Vuksanelaj u la në “arrest me burg”, duke qenë se ai vetë ka pranuar se i ka dhënë shumën prej 150 mijë dollarësh me 3% në vit.

Ndërsa Lulzim Sylja u la në burg me afat 60 ditë për t’i bërë ekspertizën e gjendjes së tij shëndetësore, një kërkesë kjo edhe e vetë Prokurorisë. Sipas përgjimeve, shtetasi Lulzim Sylja ka pasur një pikë bastesh bashkë me djalin e Paulin Radovanit dhe djali i ish-prefektit i ka mbetur një borxh prej 100 mijë eurosh dhe për këtë borxh, ish-prefekti i ka ofruar një pronë prej 2600 metra katrorë. Pretendimet për kalimin e pronës në emër të Lulzim Sylja, sipas Gjykatës, tregojnë rrezikshmërinë e tij ndërsa do pritet ekspertiza shëndetësore nëse ka probleme me gjendjen psikike të tij siç pretendohet.

TË LIRUARIT

Gjykata e Apelit ndryshoi masën e sigurisë në “detyrim paraqitje” për Adri Balën, pasi ndaj tij nuk ka asnjë provë. 22-vjeçari rezulton i përfshirë rastësisht në këtë histori, pasi ka qenë vetëm si shoqërues në një nga takimet e Radovanit me borxhlinjtë.

“Detyrim paraqitje” u la edhe për Vinko Nikprelaj, pasi vetëm i ka blerë një pronë ish-prefektit në shumën 140 mijë euro. Dhe Marjan Bregu është lënë me “detyrim paraqitje”, pasi ky i fundit ka pranuar, sipas Gjykatës, që i ka dhënë një borxh prej 18 mijë eurosh me 11% në muaj, por 31-vjeçari është peshëngritës i Vllaznisë dhe, sipas Gjykatës, nuk paraqet rrezikshmëri për t’u larguar dhe ka personalitet të mirë. Gjykata liroi nga burgu dhe Elidon Qerimaj me “detyrim paraqitje” si dhe Naim Ahmetin, pasi ky i fundit vetëm ka dashur t’i blejë një tokë Paulin Radovanit. Gjykata ka liruar edhe Eduart Fushën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat