Qeveria mbështet fermerët e qumështit, Çuçi: Më të favorizuar sesa nga rimbursimi i TVSH-së

Shqipëria

Qeveria mbështet fermerët e qumështit, Çuçi: Më të favorizuar sesa nga rimbursimi i TVSH-së

Më: 4 prill 2019 Në ora: 18:27
Ilustrim

Fermerët do të përfitojnë 10 lekë për litër qumështi të dorëzuar pranë pikave të përpunimit. Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Blendi Çuçi sqaroi vendimin e marrë sot në mbledhjen e qeverisë, duke theksuar se masa favorizon dukshëm më shumë fermerët sesa skema e parë e rimbursimit të TVSH-së 20%.

Çuçi vuri në dukje se “prej kohësh ne e kemi ndjekur me vëmendje shqetësimin real të fermerëve që u prekën nga ndryshimi i skemës së kompensimit të TVSH-së”.

Ai theksoi se vendimi i miratuar sot vjen në kohën e duhur dhe është dukshëm më i favorshëm për fermerët sesa skema e parë e rimbursimit të TVSH-së 20%. “Praktikisht me këtë vendim fermerët do të marrin më shumë lekë për çdo litër qumështi të shitur”, tha ai.

Këshilli i Ministrave në mbledhjen e ditës së sotme vendosi që të japë një financim të dedikuar për fermerët që prodhojnë dhe shesin qumësht. Sipas këtij vendimi fermerët do të përfitojnë një kompensim në vlerën 100 lekë të vjetra për litër qumështi të shitur. Nuk do të ketë kufizime për numrin minimal të krerëve që mbarështon ferma. Për të përfituar kompensimin, fermerëve u mjafton vetëm fatura tatimore. Aplikimet do të fillojnë prej datës 22 prill pranë Agropikave dhe zyrave të Bujqësisë në qarqe. Ato do të jenë me kosto zero për fermerët.

Ministri shtoi se ”kjo masë e marrë është një mbështetje e drejtpërdrejtë për fermerët e sektorit të blegtorisë dhe është gjithashtu një reagim në kohën e duhur i shqetësimit të tyre, pas ndryshimit të skemës së kompensimit të TVSH-së nga 20% në 6%.  Po kështu, një masë e tillë do të ndikojë pozitivisht në stabilitetin dhe formalizimin e sektorit të prodhimit dhe përpunimit të qumështit në vend.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat