Rama sulmon rektorin Koni i cili kundërpërgjigjet duke thënë: Akuza tendencioze e të paprecedenta

Shqipëria

Rama sulmon rektorin Koni i cili kundërpërgjigjet duke thënë: Akuza tendencioze e të paprecedenta

Më: 4 prill 2019 Në ora: 18:54
Foto

Pothuajse si në çdo dalje në media gjatë protestave studentore, Rama shigjetoi Konin si fajtor për gangrenat që mbajnë peng jetën universitare dhe problemet e krijuara.

“Ai nuk është mbret. Është një person si të gjithë të tjerët”, tha një studente e Fakultetit të Ekonomisë. “Nuk është mbret, por është më rehat se çdo mbret”, iu përgjigj Rama.

“Unë besoj personalisht, që ligji aktual i arsimit të lartë, fuqia që ligji i jep të gjitha strukturave të tjera, janë të mjaftueshme pa llogaritur fuqinë që ka çdo student që e patë vetë kur bëheni bashkë që rektori reagoi brenda 24 orësh. Kjo është rruga më e shëndetshme dhe do të vendosë një standard tjetër sjelljeje të rektorit dhe rektoratit me gjithë pjesën tjetër”, shtoi shefi i qeverisë.

Rama vazhdoi më tej duke thënë se edhe pas “fikjes” së protestës, i vetmi që nuk e ka marrë vesh dhe “rrezik akoma nuk e di”, është rektori.

“Kjo është pikëpyetje në radhë të parë për ju si studentë. Rektorin e keni aty, më afër se Ministria. Sidoqoftë nuk është për të shmangur përgjegjësinë, por për të shpjeguar dhe ilustruar që autonomia është edhe përgjegjshmëria juaj, – theksoi kryeministri. – Rektorin e UT e keni zgjedhur ju, nuk e kemi zgjedhur ne dhe ka detyrimin të përgjigjet para zgjedhësve të vet, por ka dhe fatin që zgjedhësit e vet kur duhet të përgjigjet ai nisen për te ministria dhe ai rri atje. E them për herë të tretë, më vjen keq që flas kështu, por s’ka mënyrë tjetër për të folur”.

Pas akuzave të bëra nga kryeministri i Shqipërisë në adresë të tij ka reaguar në “Facebook” Rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni. Përmes një letre të hapur drejtuar stafit akademik të UT-së, studentëve, por edhe opinionit publik, Koni thotë se akuzat dhe sulmet e vazhdueshme të Ramës ndaj tij janë tendencioze dhe të paprecedenta.

“Kur dëgjon dhe sheh kryeministrin në takime me lista të porositura të personave që duhet të marrin pjesë në to dhe me pyetje të parapërgatitura nga stafi i tij, dhe që në mënyrë të vazhdueshme, merret, fyen dhe përpiqet të fajësojë për çdo gjë dhe në çdo drejtim vetëm Rektorin e Universitetit të Tiranës, vetvetiu të lind pyetja:Cili është në fakt qëllimi që, në një kohë kur Shqipëria ka 12 universitete publike, sulmohet në mënyrë kaq tendencioze, të pareshtur, pa u mbështetur në asnjë fakt dhe në asnjë provë konkrete vetëm Rektori i Universitetit të Tiranës?… Si është në fakt e vërteta?”, shkruan Koni. 

Sipas rektorit Koni, e vërteta është krejt ndryshe për të gjitha akuzat që ngre Rama. Në lidhje me kontrollin antiplagjiaturë të disertacioneve ai thotë se u ka kërkuar të gjithë fakulteteve të përcillnin listën e personave që kanë mbrojtur disertacionin dhe kanë fituar grada ose tituj shkencorë të barasvlefshëm me to.

“Në cilësinë e Rektorit të UT, iu kam kërkuar në rrugë zyrtare të gjitha njësive kryesore (fakultete/institute) të UT-së, të përcillnin listën e personave që kanë mbrojtur disertacionin dhe kanë fituar grada ose tituj shkencorë të barazvlefshëm me to (kërkues dhe bashkëpunëtor i vjetër shkencor, etj) që nga viti më i hershëm që dispononin, duke përcaktuar edhe afatin kohor (data 11 Mars 2019). Përjashtuar Dekanin e Fakultetit të Shkencave të Natyrës, asnjë nga dekanët e fakulteteve të tjera të UT-së, deri më tani, nuk kanë përcjëllë asnjë informacion në lidhje me çfarë ju është kërkuar”, shkruan rektori në letër. 

Më tej, Koni thekson se përgjegjësitë duhet të kërkohen te dekanët që kryeministri i mban në rresht të parë gjatë takimeve.
“Pra, kush e pengon zbatimin e VKM -së???? …Rektori i UT apo dekanët, të cilët, siç edhe duhet t’i keni parë, janë gjithmonë në rreshtin e parë në takimet e zhvilluara nga kryeministri dhe dëgjojnë akuzat e tij ndaj rektorit dhe sigurisht as nuk reagojnë, por vazhdojnë dhe nuk zbatojnë detyrimet e tyre ligjore si drejtues të njësive kryesore që i kanë zgjedhur… duke u bërë pengesë për çdo gjë dhe ndaj çdo gjëje”, shkruan më tej Koni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat