Pavarësisht opozitës, në zgjedhje mund të kemi përballë parti të tjera

Shqipëria

Pavarësisht opozitës, në zgjedhje mund të kemi përballë parti të tjera

Më: 4 prill 2019 Në ora: 19:41
Damian Gjiknuri

Maxhoranca ka deklaruar se zgjedhjet e 30 qershorit do të mbahen në datën e caktuar, pavarësisht nëse merr pjesë apo jo opozita. Damian Gjiknuri ka deklaruar në një intervistë për TVKLAN se pritet të ketë individë dhe parti të tjera që do të garojnë në zgjedhje.

“Kush tha të vetëm? Mund të ketë individë, parti të tjera ose grupime të tjera që do të duan të futen”.

Dy partitë e mëdha nuk kanë asnjë marrëveshje të fshehtë për amendimin e Kodit Zgjedhor. Damian Gjinkuri, iniciatori i propozimit të miratuar në Parlament të mërkurën që i lë hapësirë dhe demokratëve të bëhen pjesë e këtij procesi, thotë se insinuata të tilla janë të pabaza.

“S’ka asnjë marrëveshje. Ne e nisëm bashkë këtë proces dhe kërkojmë konsensus sa më të gjerë”.

Në një intervistë për Tv Klan, Gjiknuri pohon se nuk ka asnjë komunikim me selinë blu nëse do të pranojnë të bëhen pjesë në rolin e vëzhguesit në Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore, por me të drejta të plota për të propozuar.

Përfaqësuesit e opozitës së re në Parlament i kërkuan në kor Kryeministrit ndryshimin e sistemit zgjedhor, çka kërkohet dhe nga aleatët e vegjël të Lulzim Bashës. Por kjo nuk duket të jetë në krye të axhendës së socialistëve për këtë reformë.

“Pse krijohet një grup në Parlament dhe kërkon këtë, s’mund të bëjnë ndryshime që kërkojnë dhe ndërhyrje në Kushtetutë,kjo do konsensus të gjerë”.

Po ashtu hedh poshtë dhe propozimin e bërë nga Bashkim Fino, që bëri thirrje për zëvendësimin e anëtarëve të propozuar nga PS në KZAZ me njerëz nga shoqëria civile.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat