Rama zbulon qytetin e preferuar në Shqipëri

Shqipëria

Rama zbulon qytetin e preferuar në Shqipëri

Më: 5 prill 2019 Në ora: 09:50
Edi Rama

Portali italian që i kushtohet udhëtimeve “SiViaggia” ka marrë në intervistë Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, për të ditur arsyet përse italianët zgjedhin vendin e tij për të kaluar pushimet dhe përse ata që ende nuk kanë vajtur, duhet ta bëjnë.

Intervista

“Shqipëria ka pasur gjithnjë një lidhje të fortë me Italinë. Këtu të gjithë flasin italisht edhe në arkitekturë, edhe stilin e jetesës ka shumë nga Italia. Italianët ndihen si në shtëpinë e tyre. Shqipëria është njësoj si Italia e gjyshërve të tyre, një Itali e vogël, normalisht me gjithë të mirat dhe të këqijat. Për më tepër, sipas një zakoni shqiptar me origjinë mesjetare, cilido që hyn në shtëpinë e një shqiptari konsiderohet si ‘Zot’, pra miku vjen në radhë të parë. Ne jemi një popull jashtëzakonisht mikpritës.

Fatkeqësisht, kemi humbur shumë vite largpamësi në zhvillimin e territorit. Që kur ra komunizmi në vitet ’90, i cili për 50 vite e mbajti vendin të mbyllur nga pjesa tjetër e botës duke e transformuar në ‘Korenë e Veriut’ të Europës, na është dashur pak kohë që të kuptojmë çfarë duhet të bëjmë. Për fat të mirë, ka gjithnjë e më shumë interes për vendin tonë. Vitin e kaluar erdhën gjashtë milionë vizitorë dhe në pesë vitet e fundit turizmi është dyfishuar. Për pesë vitet e ardhshme synojmë të arrijmë 10 milionë turistë. Shumica vijnë nga Europa qendërveriore, si Polonia, Republika Çeke, Zvicra, por po vijnë gjithnjë e më shumë italianë dhe kohët e fundit edhe izraelitë, falë fluturimeve të reja direkte. Këtu ka gjithçka që e bën të lumtur një turist, duke filluar nga trashëgimia jonë kulturore, ndonëse është humbur shumë në vitet ’60, si për shembull 2500 kishat që janë shkatërruar”.

Cilat janë projektet e reja turistike të parashikuara në Shqipëri për të tërhequr vizitorë të rinj?

“Pikë së pari, është projekti që e kemi quajtur ‘Rilindja urbane’, më saktë programi që është duke u realizuar për të transformuar sheshet, vijën bregdetare dhe gjelbërimin në qytete. Tirana në veçanti, po ndryshon krejtësisht fytyrë. Më pas është projekti i një porti të ri turistik në Durrës ku mund të qëndrojnë kroçerat, një terminal që do të realizohet në bashkëpunim me MSC-në. Më pas është synimi për të zhvilluar turizmin e verave falë prodhimeve të reja të verave shqiptare. Për momentin ky nuk është një turizëm luksi, por një turizëm mesatar dhe i ulët, megjithatë në Shqipëri po vijnë grupet e mëdha të hotelerisë për të rritur nivelin e hoteleve me pesë yje. Kush ndërton hotel luksoz në Shqipëri, nuk taksohet për 10 vite. Kjo është një politikë e re e futur nga qeveria për të nxitur ardhjen e investimeve si vendase, edhe të huaja.

Po ndërtohen resorte të reja përgjatë bregut, por po fillojnë të ndërtojnë edhe në mal, pasi 70% e Shqipërisë përbëhet nga male. Për këtë arsye, po mbështesim hapjen e shkollave profesionale për edukimin e të rinjve. Shumë prej shqiptarëve që kanë ardhur në Itali me gomone tani po kthehen dhe po hapin aktivitetet e tyre. Edhe kjo tregon se sa e fortë është lidhja jonë me Italinë”.

Nëse do ju duhej të përcaktonit vendin më të bukur në Shqipëri, cili është për ju?

Si kryeministër nuk mund të thyej balancat, por mund të them se kam një lidhje të veçantë afektive me Vlorën, ku kam kaluar fëmijërinë dhe pushimet e mia verore në shtëpinë e gjyshes por Shqipëria është e gjitha e bukur. I këshilloj italianët të vijnë të vizitojnë godinën e Kryeministrisë në Tiranë, e areduar në vitet ’40 nga arkitekti Gio Ponti si dhe të vizitojnë Pallatin Mbretëror, i fundit i ndërtuar në Europë, ku nuk ka fjetur kurrë asnjë mbret. /ATA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat