80-vjetori i fillimit të rezistencës antifashiste, Meta takon pasardhësit e Mujo Ulqinakut në Durrës

Shqipëria

80-vjetori i fillimit të rezistencës antifashiste, Meta takon pasardhësit e Mujo Ulqinakut në Durrës

Më: 7 prill 2019 Në ora: 11:18
Meta takon pasardhësit e Mujo Ulqinakut në Durrës

Plot 80 vite më parë, Italia Fashiste arriti të hyjë në Shqipëri, duke nisur një pushtim që zgjati përreth 4 vite, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në të njëjtën ditë, në Durrës u vra gjatë luftimeve për të sprapsur sulmin fashist, edhe Heroi i Popullit, Mujo Ulqinaku.

Në këtë 80-vjetor, presidenti i Republikës, Ilir meta ishte në Durrës, ku takoi edhe trashëgimtarët e Mujo Ulqinakut, me të cilët bëri edhe një foto poshtë statujës së tij në qytetin bregdetar.

“I lumtur të takoja Aselin dhe Sirian, stërmbesat e Heroit të parë të rezistencës antifashiste, Mujo Ulqinakut, sot në 80-vjetorin e rënies heroike të simbolit kombëtar të qëndresës, i cili jo vetëm mbrojti me jetën e tij betimin ndaj Atdheut dhe flamurit, por i dëshmoi Europës se Shqipëria nisi rezistencën antifashiste edhe pse e braktisur dhe e harruar”, shkroi ndër të tjera Meta në Facebook.

Më pas presidenti Meta vendosi një kurorë me lule dhe u përul me respekt para heroizmit dhe veprës atdhetare të Mujo Ulqinakut dhe të gjithë bashkëluftëtarëve, të cilët u ngritën me armë në dorë kundër pushtuesve fashistë.

“Edhe pse populli thotë ‘7 prill mos ardhsh kurrë!’ përsëri 7 prilli vjen çdo vit dhe ne jemi sot këtu në Durrës pikërisht në këtë 80-vjetor për të kujtuar me krenari të pafund Mujo Ulqinakun dhe të gjithë ata ushtarakë dhe vullnetarë, të cilët i qëndruan betimit ‘Për Atdhe e për Flamur’. Dhe të cilët me qëndresën e tyre heroike ndaj njërës prej fuqive më të mëdha të kohës bënë krenar çdo shqiptar njëherë e përgjithmonë dhe jo vetëm kaq, por e kthyen 7 prillin në ditën e parë të rezistencës antifashiste të popullit shqiptar duke vendosur me sakrificën e me gjakun e tyre vendin tonë në anën e duhur të historisë, por edhe të qytetërimit.

Andaj edhe jam sot këtu për t’u përulur me nderim të jashtëzakonshëm përpara një ushtaraku aq të thjeshtë sa ç’ishte Mujo Ulqinaku, i cili me vetëdije të plotë i bëri një shërbim të jashtëzakonshëm historik Atdheut dhe kombit tonë, duke dhënë mesazhin e sakrificës më sublime në emër të dinjitetit kombëtar”, tha Meta për mediat e pranishme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat