Tritoli në Fushë-Krujë, mesazh për zyrtarin e bashkisë

Shqipëria

Tritoli në Fushë-Krujë, mesazh për zyrtarin e bashkisë

Më: 8 prill 2019 Në ora: 10:48
Foto

Në Fushë-Krujë vijon seriali i shpërthimeve me eksploziv, të dyshuara si mesazhe kërcënuese, ku prej fillimit të vitit janë regjistruar të paktën 7 të tilla. I radhës u regjistrua në oborrin e banesës së një zyrtari të Bashkisë në njësinë administrative Cudhi.

Rreth 200 gr lëndë plasëse artizanale shpërtheu në oborrin e banesës së një zyrtari të Bashkisë Fushë-Krujë mbrëmjen e së dielës duke vijuar serialin e shpërthimeve me eksploziv si mesazhe kërcënuese ose paralajmëruese.

Eksplozivi shpërtheu në oborrin e banesës së Vesel Xakës 63 vjeç, i cili është punonjës i Bashkisë së Krujës, në njësinë administrative Cudhi.

Shpërthimi ka qenë i fuqishëm, duke shkaktuar panik në zonë, por fatmirësisht nuk pati të lënduar.

Dëmtime pësoi vetëm një nga mjetet e parkuara në oborr.

Kërcënimi për shkak të detyrës është pista kryesore e policisë për ngjarjen, pavarësisht se në deklarimet e para 63 vjeçari ka thënë se nuk ka konflikte. Por nga ana tjetër nuk është lënë mënjanë as pista e inskenimit të ngjarjes.

Policia ka shoqëruar disa persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen apo si të dyshuar, por të gjithë janë lënë të lirë pas marrjes në pyetje.

Prej fillimit të vitit në Fushë Krujë janë regjistruar të paktën 7 sulme me eksploziv ndaj banesave, bizneseve dhe shtyllave të tensionit të lartë.

Në pjesën më të madhe të rasteve, policia ka dështuar të identifikojë dhe arrestojë autorët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat