Nishani hedh dyshime mbi policinë: Shkëmbimi i zjarrit një tentativë për të hedhur “tym” në publik

Shqipëria

Nishani hedh dyshime mbi policinë: Shkëmbimi i zjarrit një tentativë për të hedhur “tym” në publik

Më: 10 prill 2019 Në ora: 13:45
Bujar Nishani dhe grabitja në Rinas

Ish-presidenti Bujar Nishani nuk është i “bindur” se ka patur në të vërtetë një përplasje me armë mes grabitësve të Rinasit dhe forcave të policisë.

Me një shënim të shkurtër në profilin e tij në rrjetin social, Nishani shkruan se përplasja me armë dhe shkëmbimi i zjarrit janë për të një tentativë e dobët e policisë për t’i hedhur tym publikut. Nishani shkruan se “tymi” po hidhet me qëllimin e dukshëm për të fshehur dështimin e plotë të sigurisë në vend dhe mosmarrjen e masave nga ana e organeve të zbatimit të ligjit për sigurinë e aeroportit të vetëm në Shqipëri. Ish- Presidenti thekson se problemet e vërteta kanë mbetur në hije, pasi një qeveri e dalë vetë nga krimi e bandat s’mund kurrsesi t’i luftojë këto të fundit.

Postimi i Bujar Nishanit 

Tentativa për ti hedhur tym publikut me gjoja “shkëmbime zjarri” nga policia me bandën terroriste që grabiti avionin Austrian Airlines, është po aq kriminale sa grabitja e miliona parave prej bandës, që tashmë do të paguhen nga taksat e njerëzve të thjeshtë.
Nëse do të kishte patur një shkëmbim zjarri, ai do të kishte ndodhur përpara se banda të mbërrinte tek avioni.
Por në fakt ky nuk është problemi i vërtetë e më madhori.
As ai i mosmarrjes së masave pas disa grabitjesh spektakolare në mes të ditës, e në mes të kryeqytetit.
Këto probleme mbeten në hije nga thelbi i revanshit të krimit dhe terrorit.
Çështja themelore është sepse bandat dhe terroristët e këtij lloji siç ishte dhe ai i fundit, nuk kanë frikë nga askush.
As nga shteti, as nga ligji, as nga policia, as nga ruajtja e as nga siguria.
Sepse ata askush nuk i ndjek, askush nuk i heton, askush nuk i shqetëson, askush nuk i turbullon.
Një qeverisje e ardhur nga krimi pjell vetëm krim, bashkëjeton vetëm me krimin dhe prodhon veç terror.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat