Skema 3D/ Hap pas hapi, si u realizua aksioni i grabitjes së miliona eurove në Rinas - Bota Sot
Skema 3D/ Hap pas hapi, si u realizua aksioni i grabitjes së miliona eurove në Rinas

Shqipëria

Skema 3D/ Hap pas hapi, si u realizua aksioni i grabitjes së miliona eurove në Rinas

Më: 10 prill 2019 Në ora: 21:30
Skema 3D

Ka ndodhur gjithçka në 300 sekonda. Furgoni Volkswagen me ngjyre të bardhë me logon e Hetimit Tatimor ka mbërritur në derën e jashtme të aeroportit, pranë parkingut të imbarkimit, në orën 15:03 minuta.

Njëri nga 4 grabitësit zbret nga makina dhe i vë zinxhirin një blloku betoni, përpara portës metalike.

Furgoni e tërheq për të hapur rrugën dhe për të hyrë në pistë i duhen më pak se 60 sekonda. Në orën 15:04 gjendet në pjesë e pasme të avionit të linjës Tiranë-Vjenë.

Të katër grabitësit zbresin në pistë. U drejtojnë kallashnikovët punonjësve të kompanisë së sigurisë fizike “Nazeri 2000” dhe atyre të aeroportit dhe nisin të marrin thasët me euro që po ngarkoheshin.

I ngarkojnë për afro 1 minutë thasët me afro 10 milionë euro, një shifër kjo që mbetet ende për t’u konfirmuar zyrtarisht.

Përshkojnë gjithë pistën me furgon për të arritur tek porta e daljes që shërben për makinat e emergjencës. Është ora 15:08 dhe pamja e fundit që kanë mbi ngjarjen kamerat e sigurisë së aeroportit.

Sapo futen në rrugën që të çon drejt Kamzës, një furgon i Forcave të Ndërhyrjes së shpejtë, i stacionuar në pjesën ballore të aeroportit nis ndjekjen e tyre deri në urën e lumit që ndan Rinasin me Kamzën.

Në urën e lumit ndodh edhe përplasja me armë, ku nga shkëmbimi i zjarrit mbeti i vrarë Admir Murataj.

Teksa Murataj gjuante në drejtim të policisë, 3 grabitësit e tjerë tentojnë t’i venë flakën furgonit me logon e Hetimit Tatimor.

Dështojnë dhe kur Murataj qëllohet, e braktisin dhe largohen me një tjetër furgon në drejtim të Kamzës. Disa minuta më vonë i njëjti mjet u gjet i djegur në afërsi të Bathores. Kjo është edhe gjurma e fundit e lënë prej tyre.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...