KE vlerëson portalin “Mësues për Shqipërinë”: Do ta përdorim si model për vendet e tjera

Shqipëria

KE vlerëson portalin “Mësues për Shqipërinë”: Do ta përdorim si model për vendet e tjera

Më: 11 prill 2019 Në ora: 14:03
Portalin “Mësues për Shqipërinë”

Portali ”Mësues për Shqipërinë” është një mjet që përzgjedh mësuesit nga merita duke i vënë nota për dosjet që i kanë sjellë pranë drejtorive arsimore, duke i vënë nota për testimin që bëjnë pranë qendrës së shërbimit arsimor dhe varësisht nga mbledhja e këtyre notave, mësuesit më të mirë janë të parët që marrin mundësinë për të qenë mësues në shkollat ku hapet një vend i lirë pune”, tha ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini gjatë seancës së sotme parlamentare.

”Nuk ka më nepotizëm dhe korrupsion në mënyrën sesi mësuesit emërohen nëpër shkollat e Shqipërisë sot, gjë kjo që i kishte lënë përshtypje zyrtarëve të Komisionit Europian të cilët na përgëzuan dhe na thanë që do ta përdorim si model për vendet e tjera”, tha Shahini.

Ajo vijoi se, ”një tjetër arritje që përmendëm gjatë takimit ishte dhe kurrikula me kompetenca e cila ka nisur të implementohet në vitin 2014 dhe do mbyllet sivjet dhe shtatori 2019-2020 do na gjej me implementim të plotë të kurrikulës së re në të gjitha shkollat e Shqipërisë për të gjitha vitet. Kjo kurrikulë ka bërë të ndryshoj thellësisht përmbajtja mësimore dhe ka bërë një ndërlidhje të mirë mes lëndëve të ndryshme dhe mes viteve të ndryshme. Pra nxënësi sot kur e fillon klasën e parë dhe e mbyll klasën e dymbëdhjetë është i sigurt që do përgatitet në kompetencat bazike që i nevojiten për të vazhduar si një karrierë akademike ose karrierë profesionale”.

”Me kurrikulën e re erdhën dhe librat e rinj, një pjesë e librave të shkencës ato të matematikës u morën nga botuesit më të mirë perëndimor dhe si rezultat mënyra sesi bëhet shkenca sot në shkollat e Shqipërisë ka përmirësuar rrënjësisht rezultatet e nxënësve në shkenca dhe matematikë. Testi Piza që bëhet çdo tre vjet tregon që Shqipëria ka bërë progresin më të madh ndaj gjithë vendeve që kanë marrë pjesë në këtë test mes viteve 2012-2015”, u shpreh Shahini.

Shahini shtoi se, ”një sugjerim që pati komisioni ishte përmirësimi i mënyrës sesi përgatiten mësuesit. Kjo është hallka që ka nevojë ende për punë nga ana jonë”.

”Shkëmbimi i studentëve dhe projektet e përbashkëta me BE kanë shënuar një rritje. Në katër vite nga 2014-2018 janë hapur 3500 kuota për studentët shqiptar që të shkojnë të studiojnë një simestër apo një vit nëpër universitetet e ndryshme europiane. Gjithashtu kemi pranuar 1900 studentë nga vende të ndryshme europiane në Shqipëri. Në vitin 2018, 27 projekte të përbashkëta mes universiteteve shqiptare dhe universitete të ndryshme të vendeve të BE-së  janë realizuar dhe janë ngritur shuma të mëdha eurosh për kërkimin shkencor diku në vlerën 2.6 milionë euro që ka qene përfitimi I universiteteve shqiptare nga këto bashkëpunime. Sa i përket ERASMUS PLUS vetëm në 2019 do hapen 1 mijë kuota për studentët shqiptar”, tha Shahini.

”Në kuadër të Paktit për Universitetin në dy vitet e ardhshme të gjitha universitet publike do kryejnë edhe akreditimin e programeve. Gjithashtu në kuadër të Paktit për Universitetin kemi realizuar bibliotekën dixhitale e cila do jetë falas për gjithë studentët, kërkuesit dhe pedagogët. Kjo në mënyrë të padiskutueshme e përmirëson cilësinë e arsimit të lartë në Shqipëri pasi arsimi i lartë bazohet në kërkim shkencor dhe akademik. Tani për herë të parë studentët kanë mundësi të kenë qasje në miliona artikuj shkencor”, u shpreh ajo.

”Gjithashtu kemi bërë kalimin e studentëve nga bankat e shkollës në tregun e punës. Kemi hapur të gjitha vendet e lira në shërbimin civil për studentët ekselentë që do punojnë me një kontratë pune një vjeçare. Kjo ka ndihmuar administratën të modernizohet”, përfundoi ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Besa Shahini. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat