Autoblinda ushtarake në Rinas

Shqipëria

Autoblinda ushtarake në Rinas

Më: 11 prill 2019 Në ora: 16:51
Autoblinda

Forcat e Armatosura shqiptare kanë marrë nën kontroll perimetrin e aeroportit të Rinasit, ku blindat e Policisë Ushtarake do të sigurojnë perimetrin, pas grabitjes së fundit.

“Masat e sigurisë, deri në vendosjen të asaj që duhet të kishte bërë koncesionari që në fillim, do të përforcohen edhe përmes nesh, sigurisht në mbështetje të të gjitha organeve të tjera ligjzbatuese”, tha Olta Xhaçka, ministre e Mbrojtjes.

Por, presidenti Ilir Meta i kërkoi shefit të shtabit të ushtrisë llogari për lëvizjen e ushtrisë në një operacion sigurie në aeroport. Përgjigjja u dha nga ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, e cila shkoi vetë pranë trupave që po ruajnë aeroportin.

Ajo tha se nuk ka shkelje të Kushtetutës dhe se nuk ka dislokim të mirëfilltë të forcave ushtarake sepse nuk jemi në luftë, por ajo shtoi se prania e ushtrisë lidhet me faktin se një pjesë e aeroportit të Rinasit është bazë ushtarake, ndërkohë, nga ana tjetër janë angazhimet e sigurisë që Shqipëria ka në kuadër të marrëveshjeve me NATO-n.

Ndërkohë, ministrja tjetër Belinda Balluku, e cila është përgjegjëse për infrastrukturën, tha se kontrata e koncesionit ka probleme.

Edhe pse janë vendosur gjoba për mosplotësimin e standardeve, ato janë të papërfillshme nga ana financiare, pasi bëhet fjalë për shifra qesharake. Sipas saj, koncesionari nuk ka përmbushur rekomandimet për sigurinë të kërkuara pas grabitjes së parë, të ndodhur në vitin 2016.

Ajo tha se do të ulet në bisedime me krerët më të lartë të kompanisë kineze dhe do të kërkojë rritjen e masave të sigurisë.

Pas grabitjes të së martës, kryeministri Edi Rama i është përgjigjur kritikëve që e konsideruan antikushtetues vendosjen e ushtrisë në Rinas, përmes një fotoje në Instagram.

“Forcat ushtarake në aeroportet e Parisit, Venecias, Frankfurtit dhe Amsterdamit, janë vendosur ashtu si në plot vende të tjera të Evropës dhe botës demokratike, si reagim ndaj akteve cenuese për sigurinë e infrastrukturave aeroportuale dhe qytetarëve që i përdorin ato”-shkruan ai ndërsa shton se vendosja e policisë në aeroport është normale dhe nuk ka shkelje të Kushtetutës.

Ndërkohë beretat e kuqe të policisë sonë ushtarake janë vendosur thjesht në ruajtje të perimetrit të jashtëm të sigurisë. Prandaj kush flet për shkelje kushtetute, gjendje lufte, juntë ushtarake e marrëzira të tjera si këto, le të gjejë ndonjë arsye tjetër për të treguar se sa shumë i dhimbsen Kushtetuta dhe standardet demokratike”, shkruan Rama.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat