Grabitja në Rinas, Klosi: Ngjarje e rëndë dhe e përsëritur. S’bëhet politikë

Shqipëria

Grabitja në Rinas, Klosi: Ngjarje e rëndë dhe e përsëritur. S’bëhet politikë

Më: 11 prill 2019 Në ora: 21:53
Fatos Klosi

Grabitja e ndodhur në Rinas më 9 prill dhe rreziku që i kanoset Sigurisë Kombëtare vijojnë të dominojnë aktualitetin në vend. Për këtë temë është folur edhe në emisionin “Open” të Eni Vasilit, këtë të enjte në ekranin e Top Channel, me një panel të ftuarish si Carlo Bollino, Fatos Klosi, Fahri Balliu dhe Enton Abilekaj.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka ishte gjithashtu në lidhje të drejtpërdrejtë nga zyra e saj në Ministrinë e Mbrojtjes, dikaster në qendër të vëmendjes gjithashtu pas ngjarjes së rëndë, ndërsa nga një studio dytësore ishte edhe zoti Dritan Goxhaj.

Por si konsiderohet ngjarja nga panelistët?

“Ngjarje e pazakontë, jo shumë për vlerën monetare, por për dinamikën e ngjarjes. Ishte një derë e braktisur, ku hynë me makinë deri poshtë aeroplanit. Siguria këtu ka rënë”, tha Bollino.

“E pazakontë sigurisht, – shtoi Abilekaj. – Mund të them vetëm që FNSH-ja dhe reagimi i shpejtë i saj i shpëtoi Policisë Shqiptare turpin. Nëse nuk do të ndërhynte, do të ishte skandali më i madh për rendin në Shqipëri”.

“Dështim i jashtëzakonshëm, jashtë çdo kriteri të funksionimit të shtetit. Nuk ekziston më përgjegjshmëri shtetërore”, tha Fahri Balliu.

“Ngjarje e rëndë dhe e përsëritur, kaq do të thoja. Të tjerat janë kot, sepse nuk bëhet politikë me këto gjëra”, tha Klosi. Duke qenë se është institucion i rëndësisë së veçantë, përhapja e mëtejshme e frikës është e kotë, sipas tij. “Ka ndodhur një ngjarje e rëndë, por nuk u përmbys bota. Nuk ndihmojmë dot në zgjidhjen e ngjarjes duke thënë ra siguria kombëtare. Kemi prokurorinë, le ta lëmë të hetojë”, shtoi më tej ish-shefi i Shërbimit Informativ Kombëtar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat