Libohova: Asnjë kusht sigurie, as bojë ngjyruese dhe as GPS

Shqipëria

Libohova: Asnjë kusht sigurie, as bojë ngjyruese dhe as GPS

Më: 11 prill 2019 Në ora: 23:06
Edvin Libohova

Edvin Libohova, ekonomist dhe bankier i njohur dhe me njohuri edhe mbi shoqëritë e sigurimeve, të cilin shumëkush mund ta njohë edhe si anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit, ndërhyri në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Open” nga Eni Vasili për të diskutuar në detaje mbi grabitjen e rreth 10 mln eurove në Rinas.

Zoti Libohova tha se për transferta të tilla, ligji shqiptar imponon bankat të pajisin transfertat e tyre në marrëveshje me kompanitë private të sigurisë fizike me bojë ngjyrosëse që i nxjerr jashtë përdorimit paratë në rast sulmi nga bandat e armatosura, apo me GPS që të mund të gjurmojnë dërgesën e tyre deri në aeroport.

I pyetur nëse ishin marrë këto masa në rastin e fundit apo jo, ai tha se asnjë nga këto masa nuk ishin respektuar, ndoshta për shkak se bankat kanë vijuar në rutinën e tyre të përhershme. Por a vjen kjo neglizhencë e bankave për çështje financiare, kostosh? Zoti Libohova tha se nuk ka asnjë shpenzim ekstra për këto masa, por deklaroi se GPS-i ndoshta mund të rezultojë problematik për shoqëritë e transportit ajror, edhe pse tha se një pajisje e tillë mund të hiqet sapo thasët ngarkohen në avion.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat