“Babalja” shkon për gjykim, Basha kërcënon gjyqtarin e prokurorët

Shqipëria

“Babalja” shkon për gjykim, Basha kërcënon gjyqtarin e prokurorët

Më: 12 prill 2019 Në ora: 18:28
Lulzim Basha

Gjykata e Tiranës vendosi të kalojë në gjykim themeli çështjen penale kundër ish-deputetit Ervin Salianji, si dhe 3 bashkë të pandehurve të tjerë të dosjes “Babalja”; Albert Veliu, Fredi Alizoti dhe gazetarit Jetmir Olldashi, nën akuzë për kallëzim të rremë.

Ish-ligjvënësi demokrat nuk e priti vendimin në sallë, ndërsa për gazetarët e vlerësoi procesin si të montuar politikisht.

“Aty ishin sot, ngjitur me prokurorët, edhe avokatët e tij, për t’i pasur si garanci për rastin. Pa diskutim që është një proces i montuar. Nuk ka vepër penale, Prokuroria duhet të provojë fajësinë time. Unë nuk fajësohem për agjitacion dhe propagandë”, tha Salianji.

Pas vendimit reagoi ashpër edhe kryetari i Partisë Demokratike, i cili kërcënoi gjyqtarin dhe prokurorët e çështjes.

“Dua t’ia bëj fare të qartë Kastriot Gramshit, gjyqtarit të çështjes, dhe dy prokurorëve se nuk do t’ia hedhin vettingut për të varrosur dosjet e krimit. Vettingu do t’iu bëhet publikisht nga Partia Demokratike, e për këtë kanë zotimin tim personal, si kryetar i opozitës sot dhe kryetar i qeverisë nesër”, tha Basha.

Lulzim Basha paralajmëroi përgjegjësi penale për kryemistrin Rama dhe funksionarë të Partisë Socialiste, sipas tij të përfshirë në skandal.

“Sa për rastin në fjalë, padyshim nuk ka asgjë tjetër që do të dalë nga kjo dosje, përveç zhytjes deri në në fyt të Edi Ramës, Fatmir Xhafës, Taulant Ballës, Ardi Veliut, Nushit dhe Markos të Policisë së Shtetit. Prokurorëve, duke filluar me Gent Osmanin dhe disa funksionarëve të Shërbimit Informativ Shtetëror do të marrin atë që meritojnë sipas Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë”, tha Basha.

Krydemokrati lëshoi akuza të forta edhe ndaj shefes së Krimeve të Rënda, Donika Prela, për përdorim politik të institucionit që ajo drejton.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat