Kur do të hapen akset rrugore për qarkullimin e mjeteve, nga Tiranë-Elbasan, tek By-passi i Fierit

Shqipëria

Kur do të hapen akset rrugore për qarkullimin e mjeteve, nga Tiranë-Elbasan, tek By-passi i Fierit

Më: 13 prill 2019 Në ora: 09:19
Ilustrim

Drejtoresha e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Sonila Qato ka konfirmuar edhe një herë se aksi rrugor Tiranë-Elbasan pritet të jetë tërësisht funksional për qarkullimin e mjeteve më 17 maj të këtij viti.

Këtë e ka bërë të ditur për ‘ERTV Intervista’, ndërsa ka folur mbi investimet në infrastrukturë si dhe mbi proceset e mirëmbajtjes së rrjetit rrugor. Sipas Qatos, janë një sërë aksesh të tjera rrugore të rëndësishme dhe sistemime të rrugëve që pritet të përfundojnë brenda vitit 2019.

“Brenda vitit 2019 kemi për të përfunduar disa projekte të rëndësishme tashmë të nisura nga ana e Autoritetit Rrugor Shqiptar, natyrisht me mbështetje të buxhetit të shtetit të qeverisë shqiptare. Siç flitet për mbylljen në datë 17 maj të aksit kryesor, një kas shumë problematik, një projekt i tejzgjatur për shkak të mënyrës se si ishte hartuar dhe projektuar kontrata e rrugës Tiranë-Elbasan të cilën ne patëm rastin më datë 14 mars të hapnim korsinë e parë të lidhjes së kësaj rruge nga TEG-u deri kufi të rrethrrotullimit në hyrje të Elbasanit, ku ambicia është që më datë 17 maj të dorëzojmë të plotë këtë rrugë”, u shpreh Qato.

Ndërkohë, ka shtuar më tej se më 29 prill do të hapet për mjetet dhe qytetarët gjithashtu edhe tuneli panoramik i rrugës Elbasan-Tiranë.

“Përfundojmë rehabilitimin e rrëshqitjes pas tunelit të kësaj rruge, të rrugës së Elbasanit e cila është korrigjuar përmes një tuneli panoramik i cili me 29 prill tashmë presim që ta hapim dhe të jetë i lirë për mjetet dhe qytetarët.”

Po ashtu, deri në fund të vitit do të përfundojë infrastruktura e veprave të arrit të 4 viadukteve në aksin Kukës-Morinë, e cila përfshin pajisjen me të gjitha elementët e sigurisë rrugore. Brenda vitit do të mbyllen punimet edhe për aksin Elbasan-Banjë si dhe ato për lotin e parë Skrapar-Përmet duke lehtësuar kështu trafikun.

“Do të përfundojmë infrastrukturën e veprave të artit 4 viadukte në rrugën kryesore kombëtare Kukës-Morinë e cila do të pajiset deri në fund të këtij viti me të gjithë elementët e ruajtjes së sigurisë rrugore të këtij aksi kaq të rëndësishëm. Përfundojnë punimet në aksin Elbasan-Banjë, janë dy lote të cilat janë duke punuar aty. Lotin e parë të Skrapar-Përmet dhe disa asfaltime dhe sistemime të tjera në kuadër të mirëmbajtjes të cilët do ta lehtësojnë trafikun dhe transportin për shkak të rritjes së standardit të këtyre rrugëve”, deklaroi Qato.

Ndërkaq, ndërsa është ndalur te punimet që po kryhen në Bypass-in e Fierit, Qato ka deklaruar se njëra korsi do të jetë funksionale më 30 qershor.

“Kontraktori është duke punuar me ritme shumë të larta për të mbajtur premtimin, në mënyrë që me datë 30 qershor një korsi e Bypass-it të Fierit të jetë e hapur për qarkullimin e të gjitha automjeteve, me përjashtim të mjeteve të rënda. Janë duke punuar me dy turne, janë duke punuar në disa pika të këtij kantieri për të mbaruar në kohë reale veprat e artit që kërkojnë kohën e tyre dhe kanë dhe një kosto të konsiderueshme, por premtimi për shkak të ritmit të punës të cilën ne e monitorojmë përditë do të mbahet me qëllim që brenda datës 30 qershor ky aks dhe kjo korsi të jetë e hapur për lëvizjen brenda sezonit turistik që të mund të shfrytëzohet nga të gjithë turistët dhe qytetarët e vendit.”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat