Tabaku: Bashkia Tiranë dyfishoi taksat, mbi 25 mijë biznese të mbyllura

Shqipëria

Tabaku: Bashkia Tiranë dyfishoi taksat, mbi 25 mijë biznese të mbyllura

Më: 17 prill 2019 Në ora: 13:10
Jorida Tabaku

“Dy janë armiqtë e biznesit në Shqipëri që me politikat e tyre klienteliste dhe korruptive, kanë falimentuar me mijëra biznese, duke favorizuar një grusht oligarkësh dhe trafikantesh droge. I pari është Edi Rama. I dyti është shërbëtori i tij në krye të Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj”.

Është kjo deklarata e bërë ditën e sotme nga selia blu, nga ana e ish-deputetes demokrate Jorida Tabaku.

Ajo tha se që prej ditës së parë që hipi në Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj i shpalli luftë qytetarëve, biznesit dhe të vërtetës dhe se që në paketën e parë fiskale, të miratuar në dhjetor 2015 në Këshillin Bashkiak, ai ndërmori hapin represiv dhe diskriminues ndaj bizneseve dhe qytetarëve.

Për rrjedhojë, sipas Tabakut, sot ata që jetojnë dhe punojnë në Tiranë paguajnë 328 milionë euro taksa shtesë, të cilat nuk janë investuar në punë publike, që nuk i shërbejnë modernizimit të qytetit dhe rritjes së cilësisë së jetës në Tiranë.

Në këtë drejtim tha se binzeset janë më të prekurit nga rritja e taksave në kryeqytet nën drejtimin e Erion Veliajt dhe se sot rreth 51 mijë biznese në Tiranë paguajnë taksa 2- 3 herë më shumë se 4 vite më parë.

“Në krahasim me vitin 2015, taksat për biznesin e vogël janë mbi dyfishuar. Ne kemi marrë faturat të cilat i kanë shkuar bizneseve të vogla dhe vetë biznesi ka bërë krahasimin 2015-2019.Më konkretisht, një sipërmarrës që zotëron një market të vogël në zonën e Tiranës, paguan 410 mijë lekë më shumë taksa më vit, që prej ardhjes në krye të bashkisë të Erion Velisë. Kjo vlerë është e barabartë me gati sa dy paga minimale. Një biznes i mesëm, për shkak të rritjes së taksave nga Veliaj, paguan 540 mijë lekë më shumë për arkën e bashkisë, e cila i heq kështu mundësinë biznesit të mesëm të punësojë një person më të kualifikuar”, u shpreh Tabaku.

Ajo deklaroi se një biznes i madh paguan 1 milion e 70 mijë lekë më shumë taksa në një vit, që kur Bashkia drejtohet nga Erion Veliaj dhe se këto parà mund të ishin shpenzuar më mirë nga biznesi për të rritur punësimin apo eficencën e sipërmarrjes.

Ish-deputetja demokrate vijoi duke thënë se rritja e taksave është arsyeja se pse sot në Tiranë janë mbyllur mbi 25 mijë biznese, duke detajuar se taksa e pronës është rritur nga 2 deri në 4 herë; Taksa e pastrimit është dyfishuar për të gjitha kategoritë e bizneseve dhe shkon në projektin korruptiv të inceneratorëve e në tenderat e Fushës nga ana tjetër.

Taksa e arsimit, tha ajo është një taksë e re e vendosur nga Veliaj, e cila ka çuar në arkën e Bashkisë 20 milionë euro, por sot shkollat po jepen me PPP, me fitim shumë të lartë, abuziv dhe korruptiv për ndërtuesin e shtëpisë së Erion Veliajt.

“Këto 4 vite në Tiranë është rritur çdo taksë, por vende të reja pune nuk janë hapur, edhe pse Erion Veliaj, vetëm nga mbidyfishimi i taksave ka patur 328 milionë euro më shumë në arkën e bashkisë. Taksat e rritura nga bashkia shkojnë në të njëjtin zë si ai i qeverisë qendrore: është i njëjti model, është e njëjta skemë, është i njëjti sistem, shpenzohen për fasadën dhe publicitetin personal të kryebashkiakut Veliaj, ndërsa qytetarët po i mbyt betoni i korrupsionit, falimenti, varfëria dhe papunësia”, tha ndër të tjera Tabaku.

Ajo shtoi se biznesi meriton të trajtohet me taksa të ulëta, me çmim më të ulët për energjinë dhe karburantin dhe që biznesi të forcohet, nuk duhet kamxhiku i tatimorëve, por mbajtja larg e gjobëvënësve.

Po ashtu tha se biznesi kërkon mundësi të barabarta dhe jo favorizim të disa klientëve të kryeministrit ndërkohë që pjesa më e madhe e bizneseve sot ulin qepenat. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat