Karandrea: Universiteti jonë, zgjedhje e vogël evropiane brenda Shqipërisë

Shqipëria

Karandrea: Universiteti jonë, zgjedhje e vogël evropiane brenda Shqipërisë

Më: 17 prill 2019 Në ora: 17:21
Evis Karandrea

Në Panairin e Edukimit 2019, po merr pjesë edhe universiteti katolik i Tiranës “Zoja e Këshillit të Mirë”, universitet ky që ofron programe bashkëkohore të studimit në drejtimin e mjekësisë, të farmacisë, ekonomisë dhe atë të arkitekturës.

Në kuadër të këtij panairi, përfaqësues të këtij universiteti, po paraqesin ofertën e programeve të veta të studimit para studentëve të Kosovës.

E, për të qenë pjesë e ndonjërit nga programet e studimit tek “Zoja e Këshillit të Mirë”, nevojitet një italishte bazike, pasi që mësimi dhe literatura janë në këtë gjuhë.

Drejtoresha ekzekutive e këtij universiteti, Evis Karandrea, thotë se garantojnë sukses për të gjithë ata që ndjekin studimet pranë këtij institucioni, pasi 98 përqind e atyre që kanë përfunduar studimet janë të punësuar.

Ajo thekson se gjuha nuk përbën aspak pengesë, pasi që universiteti ka edhe Qendrën e Gjuhëve, e cila asiston në njohjen dhe përmirësimin e gjuhës italiane.

Karandrea: Ofrojmë perspektivë evropiane për studentët e Kosovës

“Është kënaqësi e madhe për ne që kemi ardhur në Kosovë, në mënyrë që nga universiteti katolik ‘Zoja e Këshillit të Mirë’, të paraqesim ofertën e programeve tona të studimit. Mendoj që gjëja kryesore që universiteti jonë u ofron studentëve të Prishtinës është perspektiva evropiane, është fakti që diploma që merret në universitetin tonë është e njohur në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, pra jo vetëm në Shqipëri dhe Kosovë, por në vendet e BE-s dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha ajo.

Janë bërë tash tri ditë që përfaqësueset e universitetit “Zoja e Këshillat të Mirë” po qëndrojnë në Kosovë.

Andaj, Karandrea thotë se kanë pasur kohë të mjaftueshme që të shohin interesimin e madh të studentëve të vendit për këtë universitet.

Karandrea: Kemi vërejtur interesim të madh të studentëve të Kosovës

“Kemi parë një interes të madh, sidomos për degën e mjekësisë, për infermierinë, për stomatologjinë, për fizioterapinë dhe për arkitekturën. Kështu që ne me të vërtetë do t’i ftonim nxënësit kosovarë që të konsideronin, tashmë është edhe periudhë e provimeve të maturës, që zgjedhjen e ardhshme të konsideronin edhe në universitetin tonë. Sepse jemi një zgjedhje e vogël evropiane brenda Shqipërisë”, u shpreh ajo.

Se studentët kosovarë që kanë vijuar mësimet në këtë universitete janë shumë të suksesshëm në Tiranë, ajo thotë se e dëshmon edhe rasti i njërës nga studentet, e cila ka arritur të hap biznesin e saj farmaceutik.

Karandrea: Kemi studentë të shumtë të suksesshëm nga Kosova

“Universiteti jonë ka aktualisht 2500 studentë, të cilët janë jo vetëm shqiptarë, italianë, vijnë nga shtete të tjera të botës. Kemi edhe disa studentë kosovarë, disa prej të cilëve kanë qenë shumë të suksesshëm. Do të përmendja rastin e një studenteje kosovare, e cila ka studiuar për farmaci dhe sot është bërë një sipërmarrëse e suksesshme dhe sot ka ngritur biznesin e saj, të prodhimit të kremrave farmaceutike”, tha Karandrea.

Ajo flet edhe për të veçantat tjera që ofrojnë si universitet, ku krahas mësimit në teori, ofrojnë edhe punën praktike.

Karandrea: E veçanta e universitetit tonë janë laboratorët përkatës

“Një veçanti e universitetit tonë janë edhe laboratorët që ne i kemi. Nga laboratori i farmacisë, klinika e fizioterapisë, laboratori i anatomisë, laboratori i stomatologjisë, sepse për degët që ne ofrojmë, është shumë e rëndësishme pjesa e praktikave laboratorike. Dhe, meqenëse diploma që ne ofrojmë, janë në bashkëpunim me universitete publike italiane, për shembull arkitektura me Universitetin e Firencës, fakulteti i mjekësisë me fakultetin e Tor Vergatës në Romë, fakulteti i farmacisë dhe ekonomisë në bashkëpunim me fakultetin Aldomore në Bari. Është mundësia që studentët jo vetëm të marrin këto diploma, por edhe të bëjnë praktikat në qytetet përkatëse, kryesisht në Itali”, tha Karandrea.

Karandrea thotë se si universitet ofrojnë edhe bursa të cilat ndahen në bazë të kriterit të mesatares dhe kriterit të nevojës ekonomike.

Sipas saj, edukimi është ajo që bën diferencën në jetë dhe kjo do t’i jep mundësinë të gjithë studentëve që të ndërtojnë një Shqipëri dhe Kosovë evropiane.

Karandrea: Bursat, pjesë e rëndësishme e universitetit tonë

“Bursat janë një pjesë e rëndësishme e universitetit tonë, për studentët me mesatare të mirë nga 4 e sipër. Ne ofrojmë bursa të rëndësishme, që shkojnë nga 30 deri në 80 përqind. Përveç kësaj, ne veprojmë edhe në kuadrin e një fondacioni, ka edhe bursa për ata studentë ose fëmijë që vijnë nga familje në nevojë”, tha ajo.

Ndryshe, universiteti “Zoja e Këshillit  të mirë”, me frymëzim katolik, vepron në Shqipëri si aktor zhvillimi, duke respektuar traditat fetare vendore, në një perspektivë ndërkombëtare. Veprimtaritë akademike realizohen në bashkëpunim të ngushtë me universitete të rëndësishme Italiane (Universiteti i Barit, Universiteti i Romës “Tor Vergata”, Universiteti i Milanos, Universiteti i Bolonjës, Universiteti i Palermos, Universiteti Katolik i Milanos, Universiteti i Firences), të cilët marrin pjesë me trashëgiminë e tyre formuese, në rritjen e këtij Universiteti në Shqipëri

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat