Rrëfimi i ish të përndjekurit politik: Shpreha ndjenjën kundër sistemit me trakte

Shqipëria

Rrëfimi i ish të përndjekurit politik: Shpreha ndjenjën kundër sistemit me trakte

Më: 18 prill 2019 Në ora: 06:43
Bujar Sala

Bujar Sala bënte një nga ato punë që konsideroheshin si privilegj në periudhën e komunizmit. Ai ishte shofer dhe vinte nga një familje mesatare, por vuajtjet që shikonte gjatë rrugëtimeve e nxitën të bëhej kundërshtar i regjimit.

“Si i ri që isha në atë kohë, duke parë mjerimin e popullit që vuante, vendosa ta shpreh atë ndjenjën kundër sistemit me trakte”, tha Bujar Sala, ish i përndjekur politik.

Për disa vite me radhë, pas orarit të punës ai shpërndante përmes trakteve thirrje për popullin të ngrihej kundër sistemit: “Në traktet e mia që i kam të deklaruar, që jam dënuar për ato trakte, i them popullit shqiptar çohuni për liri demokratike, Partia Komuniste këtu e ka bërë skëterrë. E kam vazhduar gati 5 vjet këtë”.

Këto trakte shpërndaheshin nëpër rrugë, institucione, ndërmarrje të ndryshme, qendra kulturore e ngado, derisa Bujari u zbulua nga regjimi: “Mënyra se si u zbulova unë: Sigurimi i shtetit vazhdoi përndjekjen duke ditur që shumë të rinj që rrinim në Tiranë, nëpër kafene, punë, që ishim kundër regjimit, ata thoshin që ky, dmth të ndjekim Bujarin ose X-in dhe ngushtonin atë suazën e tyre te personat që ishin më të ekzaltuar kundër regjimit, një nga këta isha edhe unë”.

I gjendur përballë fakteve, ai detyrohet të pranojë autorësinë për traktet dhe dënohet me burg. Vitet e dënimit kanë qenë vuajtje e madhe për Bujarin: “U dënova 8 vite. Burgu ka qenë tmerr, llahtar, nuk folet, për aq sa kam bërë unë 6 vjet, të tjerë shokë të mi kanë lënë kockat e jetën”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat