Basha: Futemi në zgjedhjet e 30 qershorit nëse garantohen kushtet e duhura

Shqipëria

Basha: Futemi në zgjedhjet e 30 qershorit nëse garantohen kushtet e duhura

Më: 18 prill 2019 Në ora: 20:59
Lulzim Basha

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë dalja para medieve pasditen e sotme u shpreh se partia që ai drejton do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit nëse garantohen zgjedhje të lira dhe të ndershme.

“Jemi i vetmi vend në Ballkan për të cilin një nga parlamentet e vendeve anëtare i ka rekomanduar Brukselit heqjen e lëvizjes së lirë. Jemi i vetmi vend në Ballkan ku brenda 6 viteve 500 mijë banorë janë larguar nga vendi për shkak të papunësisë, mungesës së shpresës, mundësive për shkak të represionit dhe brutalitetit të një regjimi të ardhur në pushtet me anë të krimit të organizuar. Vendimi është i qartë: PD do të futet në zgjedhje vetëm kur të garantohen kushte për zgjedhje të lira dhe të ndershme. PD angazhohet që të pamundësojë çdo krim tjetër elektoral, si zgjedhjet e vitit 2017, tashmë të dokumentuara edhe nga Prokuroria Shqiptare, si të dhunuara”, – theksoi Basha.

Sipas Bashës, largimi i Kryeministrit Rama është kusht i panegociueshëm për nisjen e dialogut politik me Partinë Socialiste.

“Largimi i tij është kushti i parë dhe i panegociueshëm për nisjen e dialogut politik me Partinë Socialiste, dialog që do të çoi në një qeveri tranzitore me mandat për të përgatitur zgjedhje të lira dhe të ndershme, në bashkëpunim jo vetëm me aleatët tanë politikë, por edhe me të gjithë shoqërinë dhe grupet e interesit. Gjatë ditëve dhe javëve në vijim ne do të shpalosim propozimet tona për qeverinë tranzitore dhe natyrisht propozimet tona do t’i nënshtrohen një konsultimi publik, në mënyrë që mandati dhe detyrat e qeverisë tranzitore të mos jenë thjesht kalkulim politik i opozitës së bashkuar, por të përfaqësojnë konsensusin shoqëror për ta nxjerrë Shqipërinë nga kjo krizë. Sot mesazhi është ky: pa largimin e Edi Ramës nuk ka dialog dhe do të vazhdojë përballja me të gjitha format. Protestat do të vazhdojnë sipas taktikës që do të përcaktohet nga shtabi i protestave”, – vijoi Basha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat