Ristrukturohen drejtoritë dhe zyrat arsimore, Shahini: Shërbim pranë çdo bashkie

Shqipëria

Ristrukturohen drejtoritë dhe zyrat arsimore, Shahini: Shërbim pranë çdo bashkie

Më: 19 prill 2019 Në ora: 16:54
Besa Shahini

Në kuadër të modernizimit të shërbimeve publike brenda institucioneve të sistemit parauniversitar, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini njoftoi sot mbi ristrukturimin e zyrave dhe drejtorive arsimore për ta çuar shërbimin pranë çdo bashkie.

Shahini theksoi se drejtoritë dhe zyrat arsimore luajnë një rol kyç në mbarëvajtjen e procesit mësimor si dhe në cilësinë e arsimit parauniversitar në Shqipëri.

“Duhet të pranojmë që në disa raste këto zyra nuk kanë punuar me kapacitet të plotë, pasi nuk kanë qenë mjafueshëm afër fizikisht me shkollat që administrojnë. Sot që flasim jo të gjitha bashkitë kanë një zyrë arsimore pranë tyre dhe reforma kryesore, risia që po sjellim me ristrukturimin e zyrave dhe drejtorive arsimore, është pikësht kjo, që çdo shërbim ta sjellim sa më pranë secilës shkollë, duke e vendosur këtë zyrë në secilën bashki”, tha Shahini.

Kjo reformë, sipas Shahinit, “nuk po bëhet vetëm për shërbimet arsimore, por kjo është shtrirë dhe në fushën e bujqësisë dhe shëndetësisë”.

Sot, tha ministrja, “ne kemi 38 drejtori dhe zyra arsimore me rreth 500 punonjës”. “Nga analizat që kemi bërë në terren rezulton se disa nga këto zyra janë të stërngarkuara, ndërsa disa të tjera jo. Duke qëndruar te numri që kemi, do të shpërndajmë numrin e punonjësve në 51 bashki, duke mbuluar bashkitë e mëdhaja me zyra arsimore të veçanta dhe bashkitë e vogla do të grupohen për çdo dy bashki nga një zyrë arsimore”, tha Shahini.

Duke sjellë shembuj të këtij riorganizimi, ajo tha se “Shkodra, Korça dhe Fieri do të kenë zyrën me numrin më të lartë të punonjësve, ndërsa Delivina dhe Finiqi do të kenë një zyrë të vetme.

“Varësisht nga numri i shkollave dhe i mësuesve, bashkitë që mbulojnë zyrat arsimore do të kenë 6, 10, 14 ose 25 punonjës në mënyrë që shërbimi të mbulohet si duhet. Risia kryesore është që secila zyrë do të ketë një sektorë prej 3 deri në 6 punonjësish që do merren vetëm me vlerësimin e cilësisë së arsimit parauniversitar. Ky ka qenë një shërbim i munguar vitet e fundit sepse përmirësimet në kurikula dhe tekste shkollore, ne nuk kemi mundur t’i shikojmë se si po zbatohen në shkolla”, tha Shahini.

Ministrja Shahini theksoi se “këto 51 zyra do të menaxhohen nga 4 drejtori të vogla rajonale, sepse secila nga këto drejtori rajonale do të ketë 15 punonjës. “Krijimi i tyre do të jetë në Lezhë, Durrës, Fier dhe Korçë, duke ndjekur modelin e zyrave shëndetësore rajonale, por nuk do të ketë dy drejtori rajonale në të njëjtin qytet. Nëse për rajonin e veriut, drejtoria rajonale shëndetësore është vendosur në Shkodër, ajo arsimore do të vendoste në Lezhë”, tha Shahini, duke i dhënë fund të gjitha zërave për penalizimin e Shkodrës në këtë proces. Shkodra, sipas saj do të ketë zyrën e saj arsimore.

Në krye të gjithë kësaj strukture është Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar, agjenci zbatuese e politikave të ministrisë me zyrë qendore në Tiranë, dhe që do të ketë në varësi  4 drejtori rajonale dhe 51 zyra arsimore.

Shahini nënvizoi se “nuk do të ketë shkarkime të punonjësve por riorganizim të tyre në varësi të nevojave që kemi në bashki”.

“Riorganizimi do të prekë disa drejtues që kanë shkelur rregullat në fuqi, nuk i janë përgjigjur ministrisë dhe për të cilët kemi marrë shumë ankesa te portali i bashkëqeverisjes”, tha Shahini.

Po ashtu, ajo informoi se “i gjithë riorganizimi do të mbyllet para hapjes së portalit ‘Mësues për Shqipërinë 2019’ dhe para maturës shtetërore në qershor, në mënyrë që të mos cënohet mbarëvajtja e këtyre dy proceseve jetike”. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat